Pas protestës së pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës dhe të Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive para Qeverisë, ku kërkuan rishikimin e kategorizimit për rrezikshmërinë në punë, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se të ardhurat mesatare mujore të tyre janë mbi 2.200 euro, e njëjtë deklaroi edhe kryeministri Albin Kurti.
Por në një dokument të siguruar nga Sinjali shihet se paga bazë e një polici të Njësisë Speciale Intervenuese është 631 euro e 89 centë.
Kurti tha se të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare sivjet shkuan mbi 2.200 euro në muaj (paga bazë plus shtesat), e tash do ta kenë edhe shtesën e rrezikshmërisë prej 150 euro në mua.
Sipas tij, në fund të muajit nëntor “i bie që përveç pagës së rritur, secili prej tyre do të marrë edhe shumën neto prej 1.350 euro retroaktivisht (shtesa e rrezikshmërisë shkurt-nëntor 2023)”.
“Janë 203 policë të Kosovës që sivjet patën të ardhura më të larta sesa Presidentja e Republikës (1.890 euro bruto, koeficienti 18), e në muajt qershor e korrik ishin afër 700 sosh (ku sigurisht bëjnë pjesë shumica absolute e pjesëtarëve të NjSI).”, ka shkruar Kurti.