Site icon PrishtinaPress

Zbulohet plani i shqiptarit të dyshuar për terrorizëm në Austri

Një i ri shqiptar, Lorenz K., 18 vjeçar, është arrestua dje, e premte, në Vjenë si i dyshuar që po planifikonte sulm terrorist në kryeqytetin e Austrisë.

Mediat austriake kanë raportuar gjerësisht lidhur me të riun e arrestuar nën dyshimin se kishte përgatitur një sulm terrorist në Vjenë.

Heute.at ka ofruar së fundi më shumë të dhëna lidhur me të riun me prejardhje shqiptare, mbi të cilin bie dyshimi i rëndë, shkruan Albinfo.ch.

Ky portal saktëson se përveç të riut, në pyetje është marrë edhe babai i tij, i cili thotë të mos ketë pasur fare ide lidhur me orientimin e të birit.

Babai, i cili vjen nga Shqipëria (Tirana) jeton në qytetin Neunkirch dhe ka dy djem.

Lorenzi ka qenë i njohur për policinë, në saje të disa delikteve të imta që kishte kryer. Ai kishte kaluar të banonte në Vjenë.

I dyshuari është shtetas austriak dhe ka prejardhje shqiptare. Pasi është marrë në pyetje gjithë natën e mbrëmshme, ai është vendosur në burg.

Vazhdon të mbetet e paqartë se sa i rrezikshëm është në të vërtetë 18 vjeçari, shkruan portali austriak, transmeton albinfo.ch. Mbrojtjen e të riut priten ta marrin një numër avokatësh me emër në Vjenë.

Gjatë bastisjeve nuk është gjetur lëndë shpërthyese por janë konfiskuar disa telefona mobilë, të cilët do të analizohen për nevoja të hetimeve.

Ndërkaq, sipas policisë, synimi i tij kishte qenë që në sulmin që do ta kryente, të vdisnin sa më shumë viktima.

Mbetet e panjohur mënyra se si i riu me një afërsi me rrjetin mafioz palestinez Abou-Chaker në Berlin kishte rënë në lidhje me qarqet salafiste.

Sipas gazetës Österreich ai kishte qëndruar mjaft shpesh në Gjermani, ku gjithnjë më shumë qe “fundosur në moçalin islamist”.

Exit mobile version