Pas hedhjes së shortit për Parakualifikimet Evropiane për Kupën e Botës 2027, është publikuar edhe orari i ndeshjeve.
Kosova është në grup me Zvicrën, Irlandën dhe Azerbajxhanin.
Sipas renditjes botërore, Dardanët ishin në vazon e dytë, ndërsa Zvicra e para.
Irlanda ishte e treta dhe Azerbajxhani i katërti, njofton shtëpia e basketbollit kosovar.
Raundi i parë parakualifikues i Kupës së Botës të Basketbollit FIBA 2027 do të luhet në tre dritare më 19-27 shkurt 2024, 18-26 nëntor 2024 dhe 17-25 shkurt 2025, nga një ndeshje në shtëpi dhe jashtë.
Të tre fituesit e grupeve së bashku me skuadrën e renditur më të mirë në vendin e dytë do të kalojnë në raundin e dytë parakualifikues të Kupës së Botës 2027 të FIBA-s, i cili do të luhet në verën e vitit 2025.
Dardanët sfidën e parë do ta kenë Irlandës në shtëpi, e më pas në udhëtim ndaj Azerbajxhanit.
Në nëntor të vitit të ardhshëm, Kosova është mysafire e Zvicrës dhe Irlandës, ndërsa dy sfidat e fundit do të jenë në shtëpi kundër Azerbajxhanit dhe Zvicrës.