Ministrja e Ekonomisë në qeverinë Kurti, Artane Rizvanolli, ka publikuar sot një fotografi me ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu, duke u vet-lavdëruar se ajo punon edhe pas orarit të rregullt të punës.
Në përshkrimin e fotografisë të cilën e ka postuar, ajo thotë se në këtë orar të dytë, puna kryesisht koncentrohet në koordinimin dhe bashkëpunimin e rregullt ndërministror.
“Pas orarit të punës në Ministritë tona përkatëse, bashkë me Liburn Aliu fillon orari i dytë, ai i koordinimit dhe bashkëpunimit të rregullt ndërministror”, ka shkruar ajo në foton e saj.
Por, Rizvanolli siç duket ka harruar një detaj në fotografinë e saj. Në zyrën ku është shkrepur kjo fotografi shihet se ka rreze të forta të diellit, që do të thotë se “pas-orari” që ajo e përmend është gjatë ditës.
Kjo i bie se fotoja e shkrepur e më pas publikuar nga Rizvanolli është realizuar diku para orës 17:42, kur edhe sipas meteorologëve perëndon dielli në Kosovë.