-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Zbulohen kujtimet e Agollit, pengu: Lexoni shkrimet e pa botuara (Video)

Një libër kujtimesh, që Dritëro Agolli e ka nisur prej vitesh, gjendet ende në dorëshkrim.

Gjashtë javë pas ikjes nga jeta të shkrimtarit të madh, e bija Elona po publikon në Facebook-un e saj dhjetëra dorëshkrime që nuk janë botuar.   Disa nga dorëshkrimet shprehin përjetime dhe ndjesi reale të shkrimtarit në marrëdhënien me njerëzit, miqtë, familjarët dhe politikanët.

Vajza e Dritëro Agollit, Elona Agolli ka publikua edhe vetë parathënien e një libri kujtimesh të shkruar nga dora e tij, ku shkrimtari shprehet konkretisht se e ka nisur shumë vite më parë mes shumë dilemave Librin e Kujtimeve.

Madje Agolli e ka parashikuar se mund të mos e përfundonte dot, ngaqë sëmundja e tij me mushkëritë, siç shprehet ai vetë, mund t’ia shterte frymën një natë, pa e parë ende lindjen e mëngjesit.

Agolli mes dilemave nëse do ta niste shkrimin e një libri autobiografik nga dramat e jetës, Ferri, apo nga kujtimet e bukura, e ka ende në gjendje të paorganizuar këtë libër. Sidoqoftë Agolli dëshmon se vetë biografia e tij gjendet në shkrimet e pabotuara.

Pak kohë më parë edhe bashkëshortja e shkrimtarit, Sadija, është shprehur se Dritëro Agolli ka shumë dorëshkrime të pabotuara dhe kishte shumë merak për botimin e tyre.   Sadije Agolli ka premtuar se pasi të sistemohen këto dorëshkrime në të ardhmen do të botohen nga familja.

Ja dorëshkrimi origjinal i Dritero Agollit për librin e kujtimeve:

Librin për jetën time ka disa vjet që e kam filluar, duke e nisur që nga paraardhësit e mi. Por m’u prish mendja nga një shoku im , kur më tha se duhej ta nisja librin nga gjërat më dramatike të jetës. Dhe ai shtoi se Dantes , kur kishte ndërmend të shkruante “Komedinë Hyjnore”, dikush i kishte thënë se duhej ta fillonte që nga “Ferri “, nga pjesa më e rëndësishme e jetës dhe veprës së tij. 

Por unë nuk e ndryshova mendimin dhe e fillova nga paraardhësit e mi. Ky është fillimi i librit pas një hyrjeje të vogël:   

“Shumë njerëz që shkruajnë për jetën e tyre, veçanërisht shkrimtarët, e tregojnë moshën qëkur kanë filluar të mbajnë mend: që tre, që katër, që pesë vjet. Dhe këtë e tregojnë me përpikmërinë e një date të caktuar. Mbase kanë të drejtë, por unë dyshoj në vërtetësinë e këtyre gjërave të humbura në mjegullën e kohës. Mua nuk më kujtohet se në ç’moshë kam qenë, kur kam filluar të mbaj mend për gjërat dhe njerëzit që më kanë rrethuar, prandaj nuk mund t’i riprodhoj pikë për pikë sot. 

Si përmes një perdeje të hollë mëndafshi më vjen në mend një çardak, një krevat druri me një minder dhe mbi të një vajzë e shtrirë me një fytyrë të limontë. Ajo ishte Naximeja, motra e tretë e tim eti, që vinte pas dy të martuarave, Meribanit dhe Kanos. Siç tregonte më vonë gjyshja, po edhe nëna, ajo ishte më e bukura e motrave. Ishte e gjatë, me një gërshet që i zbriste deri nën belin e hollë si të grerës. 

Ndërsa dy motrat e mëdha, në pamje nuk ishin aq të këndshme; ishin shtatshkurtra dhe fytyrat i kishin ngjyrë të hirtë; gjithmonë dukeshin si të trembura dhe të përulura ndaj dikujt. Siç duket ishin ndrydhur nga burrat e tyre. Kurse Nazimeja, siç thashë, ishte e bukur dhe dergjej nga tuberkulozi në çardak atje në atë krevatin e drunjtë me minder. Tuberkulozit në atë kohë i thoshin verem, ose oftika, dhe e kishin shumë frikë.   

Unë ngjitja shkallët e drunjta dhe shkoja në çardak fshehurazi, se nuk më linin. Kujtoj vetëm fjalën “mos” dhe ca hije që më ndiqnin. Sa ngjitesha në çardak hidhesha në shtratin e Nazimesë.”

Unë me qëllim po ju tregoj hyrjen e shënimeve për jetën time, për t’ju vërtetuar që diçka po shkruaj dhe që mund ta përfundoj.   Por ç’është e vërteta këto shkrime autobiografike janë si pëlhura e Penelopës. Siç dihet Penelopa, gruaja e Odiseut, i largonte dhëndurët duke u thënë që kur të mbaronte së thururi një pëlhurë , do ta bënte dasmën me njërin prej tyre.

Dhe shumë dinake , ditën e thurte pëlhurën dhe natën e shthurte. Kështu që kjo punë zgjaste. Edhe unë , me ndryshim nga Penelopa që shthurte natën , e shthur ditën atë pëlhurë të thurur natën. 

Ndryshimi: Penelopa gënjente dhëndurët, unë mendjen. Megjithatë, mendoj se do ta përfundoj së thururi këtë pëlhurë, edhe se e thur dhe e shthur. Por edhe sikur të ndodhë ndonjë e papritur, fjala vjen, po të vdes mbi tavolinë pranë letrave, përsëri biografia ime mbetet në shkrimet e botuara dhe të pabotuara. 

Në 15 vjet me radhë kam botuar artikuj e reportazhe, të cilat janë si ditare nga jeta ime. Pastaj është gjithë poezia ime prej 2500 faqesh që tregon për jetën time. Madje në një poezi botuar ne 1983, unë them për vete:

Po kur të jesh mërzitur shumë Në raft të librave kërkomë, Atje do jem i fshehur unë Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë. Mjafton që librin pak ta heqësh Dhe unë do zbres, do vij pas teje; Ti si dikur me mall do qeshësh , Si një blerim pas një rrëkeje.”/ Shqiptarja.com/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img