Shtëpia më e madhe e futbollit në botë, FIFA ka publikuar listën me tre finalistët e futbollistit më të mirë të vitit.
Në garë për këtë çmim janë Lionel Messi, Kylian Mbappe dhe Erling Haaland, shkruan IndeksOnline.
Ky çmim I jepet lojtarëve më të mirë në kategorinë e meshkujve nga periudha 19 dhjetor 2022 deri më 20 gusht 2023.
Një total prej 12 lojtarësh u nominuan fillimisht për çmimin “Lojtari më i mirë i FIFA-s për meshkuj” , të zgjedhur nga një panel ekspertësh. Nga kjo listë e ngushtë, tre finalistët janë përzgjedhur nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga: trajnerët e ekipit kombëtar të meshkujve, kapitenët e ekipit kombëtar të meshkujve, gazetarët e futbollit dhe tifozët që votuan në faqen zyrtare të FIFA-s.
Ceremonia e ndarjes së çmimit për futbollistin e vitit do të mbahet në Londër më 15 janar 2024./IndeksOnline/