12.7 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Zbehen shpresat për heqjen e vizave në 2019-n

Pritshmëritë e Kosovës se BE-ja do ta heqë regjimin e vizave po zbehen dhe një ndjenjë tradhtie po dëmton besimin e vendit në perspektivën e tij evropiane.

Ekspertët paralajmërojnë se sfidat që presin Bashkimin Evropian në vitin 2019 me shumë gjasa do të vazhdojnë të vonojnë shpresat e Kosovës për të siguruar një regjim pa viza dhe do të vazhdojnë t’i mbajnë qytetarët e saj duke pritur në radhë të gjata në dyert e ambasadave.

Ata shtojnë se një tjetër vonesë në marrjen e liberalizimit të vizave do të dëmtojë më tej reputacionin e dëmtuar të BE-së në Kosovë – dikur mbështetësja më e madhe e BE-së në Ballkan – dhe në të gjithë rajonin.

“Dyshoj se liberalizimi i vizave me Kosovën do të përparojë më tej në vitin 2019”, tha për BIRN, Tena Prelec, një studiuese në Universitetin e Saseksit dhe në Shkollën e Ekonomisë dhe Shkencave Politike në Londër.

Jehona Lushaku, një pedagoge në Shkencat Politike në Universitetin e Prishtinës dhe një analiste për Integrimin Evropian, gjithashtu beson se shanset e Kosovës për regjim pa viza me BE-në po pakësohen.

“Liberalizimi i vizave ishte më real gjatë vitit 2018 sesa në vitin 2019”, tha ajo për BIRN.

Prelec e quan këtë vonesë “të pafat”, pasi dhënia e regjimit pa viza do të përfaqësonte një gjest konkret nga BE-ja që do të ishte mirëpritur përtej Kosovës si “një shenjë për të gjithë rajonin që BE-ja jo vetëm kërkon, por gjithashtu edhe jep”.

Igor Soltes, raportues i Parlamentit Evropian për Kosovën, është pak më optimist.

“Çdo gjë është e mundur dhe ne nuk duhet të humbim shpresën se liberalizimi i vizave do të ndodhë këtë vit,” tha Soltes për BIRN.

Ai theksoi se deri kur Këshilli i Ministrave të japë një dritë jeshile për një regjim pa viza, negociatat midis Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian nuk mund të zhvillohen.

Por Soltes shpreson se liberalizimi i vizave, si edhe çështje të tjera kyçe për marrëdhëniet BE-Ballkani Perëndimor do të qëndrojnë lartë në agjendën e Parlamentit Evropian pas zgjedhjeve në maj.

Drita jeshile pasohet nga një tërheqje pas

Evropa i tha Kosovës se kërkesat për viza do të rrëzoheshin nëse ajo do të përfundonte detyrat e shtëpisë – demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, i përfunduar në mars 2018 – dhe një luftë të forcuar kundër krimit dhe korrupsionit.

Pritshmëritë u rritën akoma më shumë pasi Parlamenti Evropian votoi në favor të liberalizimit të vizave në shtator.

Megjithatë shpresat u zbehën shpejt. Gjatë vizitës së tij në Prishtinë në dhjetor, Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn, i këshilloi qytetarët e Kosovës që të tregohen të durueshëm për disa muaj të tjerë para se të miratohej regjimi pa viza. Sipas tij, procesi do të finalizohej deri në vitin 2020, “ose ndoshta më herët, por mos më mbani peng të kësaj”, tha Hahn.

Pas raportit pozitiv për Kosovën nga Komisioni Evropian, i mbetej Këshillit të Ministrave të vendoste, i cili – sipas Hahn – po merrte shumicën e kohës.

Prelec vë në dukje disa arsye për vonesën. “Viti 2019 do të ofrojë shumë çështje të tjera të ngutshme që duhet të trajtohen nga BE-ja, kështu që ka gjasa që liberalizimi i vizave me Kosovën dhe zgjerimi në përgjithësi të lihet për në fund të radhës”, tha Prelec.

Zgjedhjet e Parlamentit Evropian në maj, sipas Preleçit, ndoshta do të rikthejnë një parlament në të cilin partitë kryesore të qendrës janë dobësuar dhe “me nxitje të mundshme që parlamenti të tregojë se mbështet kontrollin e imigracionit”.

As fakti që Rumania, një nga pesë vendet e BE-së që nuk e ka njohur Kosovën, ka marrë përsipër presidencën e BE-së, nuk ndihmon.

“Për të gjitha këto arsye, ne mund të presim të shohim hapat e parë konkretë në këtë drejtim maksimumi në vitin 2020. Do të isha e lumtur nëse gabohem dhe shpresoj që frenat të merren nga njerëz që i vënë rëndësinë e duhur kësaj çështjeje,” tha ajo.

Gjeraqina Tuhina, një gazetare nga Kosova në Bruksel, beson gjithashtu se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk ka gjasa të ndodhë në vitin 2019.

“Gjysma e parë e këtij viti do të jetë pa debatet rreth zgjerimit apo emigracionit për shkak të zgjedhjeve të ardhshme evropiane – dhe duke qenë se të dyja temat janë shumë jo popullore, askush në elitën e tanishme nuk është i gatshëm të angazhohet në ndonjë gjë që do të provokonte një debat gjatë fushatës elektorale,” tha ajo për BIRN.

Tuhina theksoi se edhe pse Komisioni Evropian arriti në përfundimin se Kosova kishte përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, disa vende anëtare të BE-së ende kanë rezerva lidhur me kushtin e dytë, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Nëse disa shtete anëtare nuk janë të gatshme të japin viza për kosovarët, ky element mund të përdoret”, tha Tuhina.

Ajo shpjegon se Franca ka qenë sidomos e ashpër në qëndrimin e saj dhe “ka punuar me sukses për të krijuar një të ashtuquajtur ‘pakicë bllokuese’ për ta ndalur çështjen”.

“Gjërat mund të marrin një tjetër drejtim vetëm nëse presidenti francez Emmanuel Macron (i cili ka kundërshtuar heqjen e vizave për Kosovën) ndryshon qëndrimin e tij pas zgjedhjeve në maj”, tha ajo.

Tuhina nuk mendon se presidenca e Rumanisë e BE-së do të ishte një problem shumë i madh, nëse një nga vendet më të mëdha, si Gjermania apo Franca, e vendosin çështjen në agjendë.

“Për më tepër, kjo mund të shndërrohet në një avantazh, pasi Rumania do të votojë në favor, pasi është vendi që formalisht e vendos këtë çështje në votim,” shtoi ajo.

Soltes, raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, i cili nuk e përjashton liberalizimin e vizave këtë vit, thotë se është në dorë të Kosovës të zhvillojë bisedime dypalëshe dhe të bindë shtetet anëtare të BE-së se ata duhet të kenë një regjim pa viza.

“Çështja është se Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian dhanë pëlqimin dhe një dritë jeshile, kështu që ne të gjithë presim që shtetet anëtare të vazhdojnë me procesin,” tha Soltes.

Ai gjithashtu shpreson që Rumania, pavarësisht refuzimit për njohjen e Kosovës, do të shohë rëndësinë e dhënies së liberalizimit të vizave.

“Presidenca rumune ka përcaktuar katër fusha kryesore ku ajo dëshiron të përqendrohet në gjatë presidencës së saj të Këshillit Evropian. Njëra është një e ashtuquajtur “Evropa, një aktor më i fortë global”, sipas të cilës ata kanë përcaktuar rëndësinë e mbështetjes së zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe një bashkëpunim më të mirë me këtë rajon,” vuri në dukje Soltes.

Vonesa dërgon mesazh të gabuar për të gjithë Ballkanin

Por Soltes gjithashtu pranoi se procesi ka gjasa të shtyhet pasi  Parlamenti Europian nuk ka seanca plenare të planifikuara nga fundi i prillit deri në fillim të korrikut.

“Kjo është një tjetër pengesë për regjimin pa viza”, tha ai, duke përfunduar ndërkohë që sa më shpejt Kosova të marrë një regjim pa viza, aq më mirë është.

Jehona Lushaku, pedagoge dhe analiste nga Prishtina, thotë se është e vështirë të imagjinohet që vendet e BE-së mund ta marrin këtë vendim përpara zgjedhjeve të majit, duke ditur mungesën e popullaritetit të çështjeve të lidhura me emigracionin midis votuesve të BE-së.

“Ky nuk duhet të jetë një argument, por në momentin aktual politik në BE, ky fakt është i rëndësishëm dhe shpjegon pse vendimi nuk do të procedohet për votim përpara zgjedhjeve të majit,” tha ajo për BIRN.

Ajo dhe ekspertë të tjerë thonë se kjo vonesë do të dëmtojë akoma më shumë imazhin tashmë të lëkundur të BE-së në Kosovë dhe në pjesën tjetër të rajonit.

“Besimi në perspektivën evropiane është tronditur në Kosovë,” theksoi Lushaku. “Për shkak se nuk ka arritur të marrë një vendim mbi liberalizimin e vizave, besimi te BE-ja është zbehur totalisht.”

Tena Prelec pajtohet me mendimin se tërheqja nga liberalizimi i vizave, pavarësisht se Kosova po i plotëson kriteret e përcaktuara, shihet si një tradhti e plotë në Kosovë.

Kjo tradhti e pritshmërive “ka nxitur një sasi të madhe zemërimi dhe pakënaqësie kundër BE-së”, shtoi ajo.

“Kjo është shqetësuese pasi Kosova është parë prej kohësh si vendi më pro-BE në Ballkanin Perëndimor.

“Nëse liderët e BE-së duan ta mbajnë Ballkanin Perëndimor në një rrugë pro evropiane, kjo përvojë e hidhur është shndërruar në një autogol.”

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img