I është dashur dy herë, kryesuesit të seancës plenare të Kuvendit të Kosovës që ta hedhë në votim Programin Kombëtar për zbatimin e MSA-së për periudhën 2017-2021, pasi deputetët, edhe pse ishin në sallë, herën e parë nuk e votuan atë. Megjithatë, në herën e dytë, programi për zbatimin e MSA-së mori 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Miratimi i këtij programi u vlerësua si i domosdoshëm në rrugën e Kosovës drejt integrimit, derisa nga opozita pati kritika për mos zbatimin e këtij programi.
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj paraqiti para ligjvënësve programin, duke thënë se ai përmban 930 masa, nga të cilat 260 janë masa legjislative, ndërsa 670 janë masa zbatuese. Programi, po ashtu, e ka koston financiare prej 484 milionë euro, ku 398 milionë janë ndarë nga buxheti, ndërsa 86 milionë nga donatorët. Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani theksoi rëndësinë e madhe që ka miratimi i këtij programi. Por sipas saj, për t’i dhënë vërtetë rëndësi, dinamika e punës në zbatimin e masave që dalin nga MSA-ja të jetë më e madhe, pasi fatkeqësisht sipas planit të qeverisë për gjashtëmujorin e parë pas nënshkrimit të MSA-së, vetëm 27 për qind janë implementuar.
Osmani ka theksuar se zbatimi i MSA-së, mundëson që Kosova të aplikojë për statusin kandidat në BE. Ndonëse e dhanë votën pro, partitë opozitare patën edhe kritika ndaj këtij programi. Deputetja e Vetëvendosjes Puhie Demaku theksoi se opozita e ka kritikën kryesore te zbatimi i këtij plani.
Edhe shefja e Grupit Parlamentar të Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami, theksoi se rezervat e tyre ndaj këtij programi janë te zbatimi i tij.
Në seancën e sotme, Kuvendi po ashtu miratoi edhe Programin e Punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2017 me 57 vota për, 14 vota kundër, 4 abstenime. Mirëpo, pati shumë kritika ndaj këtij programi, kur përveç që e quajtën të vonuar, e vlerësuan edhe si të kotë.
Në emër të Vetëvendosjes, deputetja Shqipe Pantina theksoi se nuk është dashur të hartojnë fare program të punës së Kuvendit kur nuk e zbatojnë atë. E ashpër ishte edhe deputetja e LDK-së Melihate Tërmkolli sipas së cilës ky program tregon jo seriozitetin e Kuvendit.
Në emër të AAK-së, deputetja Teuta Haxhiu e quajti të vonuar këtë program, derisa akuzoi kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit për mos kryerjen e punëve sipas detyrës që kanë.
Por, nënkryetari i Kuvendit, që ishte edhe kryesues i seancës, Xhavit Haliti iu kundërpërgjigj deputetes Haxhiu, duke i thënë që të mos ngritë çështje, të cilat, sipas tij, nuk i di.
Deputeti i Nismës për Kosovën Zafir Berisha këtë plan e vlerësoi si treguesin me të mirë për gjendjen e mjerueshme të koalicionit qeverisës.
Deputetët e Kuvendit shqyrtuan dhe miratuan edhe raportin e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë lidhur me zbatimin e Ligjit për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë. Ky raport mori 61 vota për, asnjë kundër, 3 abstenime.
Në prezantimin e raportit kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Haxhi Shala tha se nga të gjeturat kryesore del se ligji nuk është duke u zbatuar. Po ashtu, deputetët shqyrtuan dhe miratuan rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me Propozim-vendimin e Avokatit të Popullit për zgjedhjen e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit.
Ky propozim vendim mori 44 vota për, 11 kundër dhe 7 abstenime. Propozimi i Komisionit i kërkon Avokatit të Popullit plotësimin e listës edhe me një kandidat nga komuniteti serb, pasi aktualisht është vetëm një, pasi kërkohet që për një pozitë të zëvendësit të Avokatit të Popullit të jenë dy kandidatë. Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar edhe Projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale, pa amendamentin e deputetit Nait Hasani, i cili parashihte zvogëlimin e dënimeve për 1/3 për të dënuarit. Ky projektligj pas shumë shtyrjeve për shkak të kuorumit, në seancën e sotme mori 63 vota për, asnjë kundër dhe 4 abstenime. Thirrje për miratimin e këtij projektligji ditë më parë bëri edhe ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie. Ndërsa, Projektligji për Miniera dhe Minerale u shty për seancën tjetër meqë nuk pati kuorum, sikurse edhe rezoluta për aktivistët e arrestuar të Vetëvendosjes. Po ashtu, edhe Projektligjit për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave nga veriu i Kosovës, u shty për seancën e radhës, pasi Komisioni funksional ka dhënë rekomandimin që të mos votohet ky projektligj.