Site icon PrishtinaPress

Zbatimi i masave anti-COVID, policia dhe AUV vihen në veprim

Policia e Kosovës ka bërë të ditur sonte se është duke operuar me zyrtarët e saj dhe inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV), për të kontribuar në respektimin e masave dhe ruajtjen e shëndetit publik.

Në një komunikatë thuhet se që nga shfaqja e rasteve të para me COVID-19, policia është angazhuar me përkushtim në ofrimin e mbështetjes për autoritetet shtetërore në funksion të menaxhimit të situatës, implementimit të planeve në zbatim të masave dhe kufizimeve për të parandaluar përhapjen e virusit.

“Shëndeti dhe siguria e qytetarëve tanë vazhdon të mbetet prioritet në këtë periudhë pandemie. Pavarësisht detyrave dhe angazhimeve tjera policore, në çdo kohë dhe në çdo vend, policia është duke operuar me zyrtarët e saj dhe Inspektorët e AUV, për të kontribuar në respektimin e masave dhe në ruajtjen e shëndetit publik”, thuhet në komunikatën e postuar në Facebook.

Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët që të respektojnë masat e vendosura në të mirë të secilit, në të kundërtën paralajmëron masa ndëshkuese sipas ligjit.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës më 18 prill ka marrë vendim për masa të reja për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, me të cilat kufizohet qarkullimi i qytetarëve dhe puna e gastronomisë nga ora 22:30 deri në 05:00.

Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:30, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK). Në hotele, pas 22:30, shërbimi i pijeve dhe ushqimeve lejohet edhe në zonën e përcaktuar për ngrënie dhe pije, vetëm për mysafirët e këtyre subjekteve, të cilët verifikohen përmes listës që tregon personat që qëndrojnë për fjetje dhe që ofrohet nga subjekti përkatës.

Për shkelësit e masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore sipas Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e COVID-19 në territorin e Kosovës dhe ligjeve të tjera në fuqi.

Exit mobile version