Implementimi i agjendës së gjelbër po shihet si shumë i nevojshëm për Kosovën, ashtu si edhe për shtetet tjera.
Në konferencën “Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë” e cila po mbahet në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti tha se janë duke punuar në zhvillimin e politikave që synojnë tranzicionin.
I pari i ekzekutivit tha se koncepti i qëndrueshmërisë është pjesë e pothuajse të gjitha politikave që janë duke i hartuar.
“Kosova qëndron krahas shteteve partnere në zbatimin e strategjive dhe zhvillimin e politikave që e synojnë tranzicionin drejtë ekonomisë së gjelbër dhe të qëndrueshme. Koncepti i qëndrueshmërisë është në qendër të pothuajse të gjitha politikave që po i hartojmë dhe miratojmë. Përmes politikave gjithëpërfshirëse do të sigurojmë që grupet e cenueshme të kenë përmirësim të dukshëm në mirëqenie, arsim, shëndetësi e fusha tjera.
Përmes investimeve Koorporatën Energjetike të Kosovës po e kthejmë në koorporatën më të pastër. Këto investime në energji të ripërtëritshme do të krijojnë mundësi për përgatitjen e një fuqie punëtore të kualifikuar për energjinë e gjelbër. Ndërsa trajtimi i ujërave të ndotur është rritur nga 1 për qind sa ishte para më shumë se dy vitesh, në 11 për qind”, tha Kurti, raporton RTKlive.
Ndërsa ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog potencoi se Bashkimi Evropian është i përkushtuar në zhvillimin e qëndrueshëm.
“Në mënyrë individuale mund të bëjmë ndryshimin përmes aksioneve duke minimizuar karbonizimin e ambientit. Ne kemi treguar deri tani përkushtimin tonë sa i përket zhvillimit të qëndrueshëm. Së bashku ne mund të bëjmë një Ballkan më të pastër e më të mirë për gjeneratat më të reja”, shtoi Szunyog.