Site icon PrishtinaPress

Zbardhet vrasja e 34-vjeçarit në Fushë Krujë, u godit me kaçavidë nga dy vëllezër

Dy persona, vëllezër, kanë rënë në prangat e policisë këtë të shtunë, të dyshuar si autorë të vrasjes së 34-vjeçarit Indrit Ndoj në Fushë Krujë. Në pranga kanë rënë S. M., 39 vjeç dhe L. M., 18 vjeç, banues në Fushë Krujë, teksa policia njofton se në banesën e tyre u gjetën sende që i implikonin në vrasjen e të riut.

Paraprakisht dyshohet se dy vëllezërit janë konfliktuar fizikisht, për motive të dobëta, me 34-vjeçarin, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe e kishte thyer masën duke dalë në rrugë.

Në konflikt e sipër, ata e kanë goditur me kaçavidë në këmbë 34-vjeçarin dhe më pas u larguan nga vendngjarja. Ndoj humbi jetën për shkak të gjakderdhjes, teksa trupi i tij u gjet në një kanal anës rrugës nga familjarët e tij mëngjesin e të premtes.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja”, e kryer në bashkëpunim”, ka njoftuar policia.

Njoftimi i plotë i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Krimet ndaj Jetës dhe Pronës, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, si rezultat i hetimeve të thelluara, bënë të mundur zbardhjen e vrasjes së 34-vjeçarit, identifikimin dhe kapjen e dy vëllezërve, si autorë të dyshuar të vrasjes së tij, konkretisht shtetasit: S. M., 39 vjeç dhe L. M., 18 vjeç, banues në Fushë Krujë.

Nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore, këqyrja e vendit të ngjarjes, këqyrja e trupit të viktimës, si dhe mekanizmi i ngjarjes, ka rezultuar se në trupin e viktimës ka një plagë në këmbën e djathtë, që është shkaktuar nga një mjet i fortë shpues/preres dhe për shkak të gjakderdhjes, 34-vjeçari ka humbur jetën.

Grupi hetimor, gjatë veprimeve hetimore ka sekuestruar në vendngjarje dhe në banesën e dy vëllezërve, prova ligjore që implikojnë dy vëllezërit në vrasjen e 34-vjeçarit. Paraprakisht dyshohet se dy vëllezërit janë konfliktuar fizikisht, për motive të dobëta, me 34-vjeçarin, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe e kishte thyer masën duke dalë në rrugë.

Në konflikt e sipër, ata e kanë goditur me një mjet të fortë shpues 34-vjeçarin dhe më pas janë larguar. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja”, e kryer në bashkëpunim. /rtsh.al/

Exit mobile version