Site icon PrishtinaPress

Zbardhet agjenda e Krasniqit në Washington dhe Bruksel: Takime me Escobar, në Kongres dhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, njëkohësisht lideri i opozitës, do të niset nesër për vizitë zyrtare në dy kryeqendrat botërore, Bruksel dhe Washington.

Burime të Gazetës Express bëjnë të ditur se Krasniqi në SHBA do të zhvillojë takime të nivelit të lartë, për të diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë.

“Vizita e Kryetarit Krasniqi në SHBA ka për qëllim ritakimet me shumë prej partnerëve tanë, miqve të Kosovës, në lidhje më zhvillimet politike në vendin tonë, në rajonin tonë si dhe për të shprehur qëndrimet e PDK-së në lidhje me këto zhvillime”, ka thënë një burim për portalin tonë.

Në vizitën e tij në SHBA, Krasniqi do të jetë i shoqëruar nga nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Bernard Nikaj.

Mësohet se Kryetari Krasniqi në SHBA do të ketë një takim të veçantë me përfaqësuesin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me të cilin do të diskutojnë për aktualitetin politik në Kosovë dhe nevojën e veprimeve të përgjegjshme politike.

Në SHBA, Kryetari Krasniqi do të zhvillojë takime të rëndësishme edhe në të dy dhomat e Kongresit, atë të përfaqësuesve dhe në senat. Ndërkaq, siç kemi mësuar, ai do të ketë një takim të ndarë edhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve.

Para takimeve në SHBA-ve, Kryetari i PDK-së do të qëndroj në një vizitë dy ditore në Bruksel, ku do të takohet me përfaqësuesin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak si dhe me disa eurodeputetë./Prishtinapress/

Exit mobile version