Site icon PrishtinaPress

Zaimi: Ca diplomatë amerikanë po e joshin Serbinë, një pjesë e politikës shqiptare e lidhur ngushtë me Beogradin

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi ka hedhur akuza në drejtim të administratës amerikane, përmes një postimi në Facebook. Ai beson se SHBA-ja po përpiqet ta joshë Serbinë në dëm të interesave të shqiptarëve.

Duke marrë shkas nga një deklaratë e ambasadorit amerikan në Brograd, Christopher Hill, i cili kërkoi falje për viktimat serbe gjatë bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe më 1999, Zaimi ‘vëren’ se si hegjemonia e Serbisë, sipas tij, po preferohet në Washington. Ai e lidhë ngushtë me Serbinë edhe “një pjesë të politikës dhe kabitalit të madh shqiptar”.

“Nga një anë ca diplomatë e zyrtarë amerikanë lënë të kuptohet se janë në fazën e përpjekjes intensive për ta joshur Serbinë, duke kërkuar psh. falje për bombardimet e 1999, apo duke këmbëngulur se të drejtat e shqiptarëve në Serbi nuk janë çështje e Kosovës, ndërsa të drejtat e serbëve në Kosovë janë çështje e Serbisë. Nga ana tjetër sot mediat shtetërore kineze e serbe i gëzohen hapjes së një tjetër autostrade me investim kinez në Beograd. Në Mal të Zi sot ka zgjedhje, ku ndryshe nga ç’parashikohej, mund të lejohet që edhe një vend tjetër i NATO-s të kalojë në duar pro-serbe e pro-ruse?”, ka shkruar Zaimi.

“Daniel Serwer thotë se “hegjemonia e Beogradit” është bërë model i preferuar tash në Washington. Fatmirësisht ka edhe zyrtarë, kongresmenë e senatorë të rëndësishëm që po mbajnë qëndrime korrekte e të drejta ndaj situatës sonë”, ka shtuar ai.

Zyrtari i LVV-së sheh nevojë urgjente që shqiptarët ta riorganizojnë lobimin e diasporës, por këtë e parashtron me një pesimizëm, duke e përfunduar shkrimin e tij me një tjetër akuzë.

“Shqiptarët gjenden përballë nevojës urgjente për të riorganizuar kapacitetin lobues të diasporës. A do të munden, duke ditur se një pjesë e politikës dhe e kapitalit të madh shqiptar është po ashtu i lidhur ngushtë me Serbinë?”, ka shkruar Zaimi.

Exit mobile version