Kryeparlamentari kroat Gordan Jandrokoviq i ka përsëritur të premten kryeministrit Albin Kurti në Zagreb mbështetjen e aspiratave të Kosovës për integrimet euroatlantike, thuhet në një deklaratë të Kuvendit.
Jandrokoviq “përsëriti mbështetjen e fuqishme të Kroacisë për aspiratat e Kosovës për anëtarësim dhe për integrime euroatlantike, duke pohuar se kjo paraqet një kontribut të rëndësishëm për sigurinë e atij vendi dhe në stabilitetin e të gjithë rajonit”, thuhet në deklaratë, raporton Klankosova.tv.
Marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kroacisë dhe Kosovës u vlerësuan si shumë të zhvilluara, miqësore dhe të bazuara në partneritet dhe Jandrokoviq bëri thirrje gjithashtu për forcimin e bashkëpunimit parlamentar.
Jandrokoviq kujtoi se pjesëtarët e popullit kroat kanë jetuar në Kosovë për më shumë se shtatë shekuj dhe bëri thirrje për intensifikimin e angazhimit të institucioneve të Kosovës në mbrojtjen e statusit social, politik dhe juridik të kroatëve në Kosovë.
Lidhur me pozitën e pakicës kombëtare shqiptare në Kroaci, ai tha se ata kanë të drejta të garantuara me Kushtetutë dhe mbështetje të vazhdueshme nga institucionet shtetërore dhe vendore për projektet e tyre.
Jandrokoviq dhe Kurti u shprehën të kënaqur me ritmet e larta të rritjes së tregtisë, duke u pajtuar se ka shumë hapësirë për përmirësim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit.
“Forumi Ekonomik i mbajtur sot në Zagreb sigurisht që do të ndihmojë në forcimin e marrëdhënieve të përgjithshme ekonomike dhe biznesore ndërmjet biznesmenëve nga dy vendet”, thuhet në deklaratën e Kuvendit.