Një postimi në rrjetet sociale të njërit prej kryetarëve të Guxo, Faton Peci pas kalimit të deputetes Doarsa Kica-Xhelili në LDK, i është përgjigjur kjo e fundit.
Peci me bashkëkryetaren tjetër, Donika Gërvalla dhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani u paraqitën në një fotografi, ku shkroi e foli për kontrabandim të vullnetit të qytetarëve, pak orë pas raportimeve që Kica-Xhelili po lë Guxon.
Vetë deputetja i është përgjigjur këtij postimi të Pecit, që nga shumëkush është parë si provokues dhe mesazh për deputeten.
” Kush synon tjetërsimin apo kontrabandimin e vullnetit të qytetarëve, i bashkohet atyre që janë pjesë e erës së përfunduar në politikë”, kishte shkruar Peci.
Kica-Xhelili ka thënë se Peci kishte mendim të lartë për të deri pak ditë më parë.
“Mund ta them vetëm një gjë, e kuptoj por nuk e mirëkuptoj vrullin dhe impulsin e komenteve të tilla, nga dikush që e paska ndryshuar mendimin për mua brenda natës. Z. Peci e di çka saktësisht çka po flas, të paktën ka thënë që ka pasur mendim të lartë për mua”, ka thënë ajo.
Ajo ka aluduar se Peci e ka keqpërdorur institucionin e Presidencës.
“Për mua institucioni i Presidencës është apartiak dhe unifikues dhe si të tillë e respektoj. Mendoj që nuk do të duhej që ky institucion të keqpërdoret nga askush”, ka deklaruar ajo në Klan Kosova.
Kica-Xhelili është pyetur edhe për raportin me Presidenten Vjosa Osmani.
“Mendoj që në kuptim të krejt kësaj që po ndodh, raportimi me Presidenten është gjëja më jorelevante. Nuk e po them që kam raport të acaruar, por që vendimi im për kalim në LDK s’ka të bëj asgjë me faktin se a i kam raportet mirë apo keq”, ka theksuar ajo.