Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim është shprehur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndërpresin marrëdhëniet me Partinë Demokratike, nëse kryesimin e saj e merr ish-kryeministri Sali Berisha, i cili është shpallur person non grata nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor.
Në një intervistë për Top Channel, ambasadorja amerikane tha se nuk mund ta imagjinojnë një skenar ku ajo apo ndonjë nga pasardhësit e saj të pretendojnë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojnë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor.
“Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur”, deklaroi ajo.
Në lidhje me pyetjen nëse SHBA e mbështet kryetarin e PD-së Lulzim Basha, ambasadorja amerikane tha se njohim atë që është zgjedhur rregullisht si Kryetar i asaj partie, ndërsa do vazhdojmë takimet me të në cilësinë e kryetarit të Partisë.
“Njohim personin e zgjedhur rregullisht si kryetar i asaj partie dhe unë do të vazhdoj të shkoj ta takoj Basha në cilësinë e tij si kryetar i partisë. Siç e patë, ligjvënësit dhe vizitorët e tjerë nga Uashingtoni do të bëjnë të njëjtën gjë”, tha ajo.
Marrëdhëniet e afërta mes ish-kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratike pësuan një thyerje të thellë kur sekretari i Shtetit, Antony Blinken, e shpalli ish-kryeministrin Berisha dhe familjen e tij si të papërshtatshëm për të shkuar në SHBA, ndërsa kreu i PD-së Basha e përjashtoi atë nga grupi parlamentar i opozitës.
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, përcaktoi Berishën, bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, si individë që nuk janë të përshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së ish-kryeministrit Berisha në korrupsion madhor.
Pas kësaj, Basha e përjashtoi Berishën nga grupi i deputetëve dhe ka theksuar disa herë publikisht se, si kryetar i PD-së, ai nuk do të lejonte që partia të shndërrohej në bunker për interesat personale të ish-kryeministrit Berisha dhe se nuk do të lejonte që Partia Demokratike të mbante Kuvend për vendimet e SHBA-ve.
Nga ana tjetër, Berisha dëshmoi përsëri këmbënguljen e tij, kur deklaroi në një tubim se ai do të kandidonte për postin e kryetarit të Partisë Demokratike në Kuvendin, për thirrjen e të cilit, sipas tij, tashmë ishin mbledhur firmat e delegatëve.
Sipas interpretimeve mbi statutin nga ana e PD-së është kryetari ai që vendos, nëse thirret apo jo, një Kuvend i partisë.
Basha ka kujtuar se ai sapo është rizgjedhur kryetar i Partisë Demokratike me një shumicë dërrmuese votash.
Ai ka propozuar në Kuvend një proces Vettingu për pastërtinë e pasurive dhe integritetin e politikanëve, në mënyrë të ngjashme me atë që po bëhet për gjyqtarët, madje shprehu gatishmërinë që ky Vetting të nisë së pari nga kryetari i opozitës para se të përfshijë qeverinë dhe gjithë politikanët e tjerë.
Ish-kryeministri Berisha dha dorëheqjen nga drejtimi i së djathtës në vitin 2013, kur humbi thellë zgjedhjet përballë Partisë Socialiste, të drejtuar nga Edi Rama.