Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri ka theksuar se nuk ka dëshmi më të fuqishme të krimit të organizuar se sa sulmet e orkestruara ndaj atyre që më së shumti e luftojnë krimin e rrënjosur në institucione, ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas tij qeveria e Vetëvendosjes në Prishtinë me kryetarin Shpend Ahmeti është shembull i qeverisjes së mirë, anti-krim, transmeton Indeosnline.
Ky është postimi i plotë:
Adem Grabovci është vegël. Veglat edhe vjetërrohen, ose për ndonjë arsye tjetër bëhen të papërdorshme. Kjo nuk nënkupton që puna përfundon. Ajo vazhdon me vegla tjera.
Kadri Veseli është manipuluesi i veglës. Ai këto ditë poi ndërron veglat. Për ta vazhduar punën.
Puna e Veselit, përmes veglës Grabovci, nuk është thjeshtë rehatimi i të afërmëve dhe miqve të partisë. Atë që po dëgjojmë nuk është thjeshtë nepotizëm. Ajo është kapja e shtetit në vepër. Kolonizim klasik i institucioneve shtetërore përmes “njerëzve tonë që na vyn aty”. E aty duhen për kontroll. Në gjyqësi për ta kontrolluar çfarëdo ndjekje penale të krimit. Në polici për ta kontrolluar çfarëdo hetim ndaj krimit. Në agjensi shtetërore për ta kontrolluar cilëndo sferë ekonomike të vendit dhe për t’i hapur rrugë krimit. Në ndërmarrje publike për t’i kontrolluar fondet publike dhe për t’i orientuar ato kah krimi. Ky është organizim kriminal. Apo krim i organizuar.
Nuk ka gjë më dashakeqësisht naive se sa të besohet se ky krim luftohet përmes nënshkrimit të kontratave me Kapon e këtij krimi të organizuar, Kadri Veselin. Aq më tepër që kjo luftë të udhëhiqet nën siglën e ‘luftës kundër nepotizmit’.
Ndërkohë që nuk ka dëshmi më të fuqishme të krimit të organizuar se sa sulmet e orkestruara ndaj atyre që më së shumti e luftojnë krimin e rrënjosur në institucione, ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Në kohëra si këto, kur regjimi i krimit e sheh fundin e vet, i nxjerrë në pah, pa kalkulim, të gjitha veglat tjera, herë të fshehura e herë hapur. Dhe e organizon sulmin e vet mediatik, partiak, institucional, etj. Dhe kështu këto vegla vendosen detyrimisht në mbrojtje të krimit. Gazetarët e portalet e Kadrisë, veglat e Kadrisë ne LDK, të gjithë njëzëri filluan të reagojnë kundër VETËVENDOSJE!-s, që automatikisht i bie në mbrojtje të krimit.
Qeverisja e VETËVENDOSJE!-s në Prishtinë, me Kryetarin Shpend Ahmeti, është shembull i qeverisjes së mirë, anti-krim. Në secilin aspekt të kësaj qeverisje, prej ndërtimeve, e deri të prokurimi, prej punësimeve e deri te infrastruktura, prej shërbimeve e deri të transparenca, Komuna e Prishtinës është antipod i qeverisjes kriminale të deridjeshme në komunë, e që po vazhdon në nivel qendror. Por jo edhe gjatë. Sundimi i krimit nuk mund të zgjasë.