Analisti Visar Ymeri ka deklaruar se ishte “joafërsia” e asamblistit Besnik Mujeci me Kryeministrin Kurti ajo që e bëri më lehtë të dënueshëm nga subjekti partiak.
Në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, Ymeri bën një krahasim të individëve të LVV-së dhe qasjes së subjektit partiak ndaj atyre antarëve. Krahas kësaj, ai kujton edhe një fjalim të Kurtit në Kuvend që sipas tij, bie ndesh me veprimet ndaj ish-asamblistit Mujeci.
“Kur u arrestua Krasniqi ne e kemi pasur një fjalim të Kurtit në Kuvend i cili përpos se thoshte se është luftë speciale e Prokurorisë kundër LVV-së, nuk mund të shpallet fajtor pa thënë Gjykata. Besnik Mujecin po e shpallin menjëherë fajtor..pse? sepse kjo po ndikon menjëherë në imazhin politik. Pastaj, ky nuk person i afërt me Kryeministrin Kurti sepse nuk është në Qeveri, rrjedhimisht më lehtë i dënueshëm. Sa më afër Kryeministrit, më vështirë i dënueshëm bëhesh sepse lidhja me Kryeministrit është më e fortë”, ka deklaruar ai.
Tutje, Ymeri thekson se LVV përdorë standarte të dyfishta, veprim të cilin e konsideron edhe si problem të tyre.
“Ky është problemi i LVV-së dhe itharëve të saj. Që përdorin standarte të dyfishta në secilin rast varësisht se për kë flasin. Nuk po them se e bën dallimin në mes pozitës dhe opozitës por e bëjnë edhe brenda LVV-së. Ka rëndësi se cili je për të ditur gjykimin publik që do të marrësh. Për shembull për Rozetën flasin ndryshe, për Martin Berishaj flasin ndryshe, për Nagip Krasniqin flasin ndryshe…kështu e ka qëndrimin lideri, pastaj edhe të tjerët”, ka deklaruar ai gjersa ka ritheksuar më vonë se “LVV po përdor standarte të dyfishta edhe në pushtet”.
Ai konsideron se komisioni disiplinor që vendosi përjashtimin e Mujecit nga LVV-ja ishte edhe i padrejtë duke qenë se deklarata e tij nuk ishte e pranishme.