Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar votimin e rezolutës, përmes së cilës do të aplikohet kodi telefonik ‘355’ për Republikën e Kosovës.
Ymeri ka ftuar të tjerët që të votojnë rezolutën e propozuar, pasi sipas tij, në këtë mënyrë ndihmojnë zhvillimin e tregut të telekomunikacionit dhe përafrimin me Shqipërinë.
Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që të nis menjëherë dhe pa vonesë negociatat me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për zëvendësimin e kodeve telefonike sipas rezolutës për zëvendësimin e kodeve telefonike.
Ai ka thënë se pas kësaj, kryeministri i vendit i raporton Kuvendit, jo më larg se përfundimi i muajit të parë pas votimit të kësaj rezultate, e më pastaj ngarkohet Kryesia e Kuvendit që t’ia përcjellë Kuvendit të Shqipërisë këtë kërkesë dhe rezolutë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Pas pauze, do të vendoset nëse do të hidhet në votim kjo rezolutë.