Kryetari i Lëvozjes Vetëvendosje, Visar Ymeri thotë se kundërshtimi i ratifikimit të këtij versioni të demarkacionit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, është domosdoshmëri.
Ymeri thotë se çdo gjë do të kërkohet nesër në protestën e 1 shtatorit, është një proces i drejt dhe transparent i demarkacionit, sipas ligjeve vendore dhe ndërkombëtare.
Ymeri ka shkruar në Facebook se u bënë thirrje të gjithë deputetëve që në emër të respektit dhe dashurisë për vendin, të votojnë kundër ratifikimit të marrëveshjes për shënjimin në mes Kosovës dhe Malit të Zi.
“Gjithçka që ne kërkojmë është një proces i drejtë dhe transparent i demarkacionit, në respekt të ligjeve vendore e ndërkombëtare. Sot i bëj thirrje gjithë deputetëve që e kanë një fije respekti e dashurie për vendin, ta ndajnë mendjen kundër këtij procesi që është faktuar e argumentuar gjerësisht si i padrejtë”, ka shkruar Ymeri.
Nga ana tjetër, ai thotë se është i sigurt se qytetarët do t’i përgjigjen ftesës së VV-së, për protestë paqësore, por me vendosmërinë maksimale.
“Politika e frikës, e kërcënimeve, e shantazheve dhe e inskenimeve nuk mund t’i shpëtojë kriminelët e “Prontos” dhe hyzmeqarët e tyre. Protesta e nesërme është mundësia më e mirë për t’i thënë jo kësaj qeverie shtet-kapëse. Pa i hequr këta kriminelë prej pushteti kurrë s’do të kemi zgjedhje të lira, marrëdhënie të mira ndërkombëtare, luftë ndaj korrupsionit, zhvillim ekonomik e mirëqenie. Ndaj, shihemi aty ku ka nisur demokracia, në shesh”, ka shkruar ndër të tjerash Ymeri.