E ftuar në studion e emisionit “7 Ditë me Panxhën”, Yllka Metaj, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit të Shitësve me Pakicë, foli për sektorin e shitjes më pakicë në Kosovë, sektor në të cilin fuqia punëtore është njëra nga sfidat kryesore.
“Befasohem kur njerëzit thonë s’ka punë. Realisht kush dëshiron të punojë, ka vende të punës. Në Kosovë mungon vullneti, dëshira për punë edhe respekti për punë.” – tha ajo.
Së fundmi, Rrjeti i Shitësve me Pakicë ka nisur bashkëpunimin me National Retail Federation, Federatën Kombëtare të Shitjeve me Pakicë në Amerikë, anëtarë të së cilës janë kompanitë e mirënjohura si Disney, H&M, Target.
“Ne kemi arritë të bëjmë marrëveshjen që të marrim komplet kurrikulën e moduleve të cilat ne po e shohim që ka mangësi në këto shkathtësi. Kandidatët që do ta marrin këtë trajnim do të certifikohen me certifikata ndërkombëtare”- u shpreh ajo.
Tutje, Metaj tregoi për mangësitë brenda tregtisë me pakicë në Kosovë, duke iu referuar hulumtimit që organizata që ajo udhëheqë dhe EYE e kanë realizuar.
“Ne kemi mangësi në shkathtësi të caktuara përbrenda tregtisë me pakicë. Mangësitë kryesore kanë dalë në shitje, në punën ekipore dhe operacionet e biznesit.”
Ndërsa, Yllka Metaj për emisionin “7 Ditë me Panxhën” shtoi se sektori i shitësve me pakicë është sektor që ka potencial për avancimin tutje të të rinjve në karrierë.