Site icon PrishtinaPress

Yellen mbërrin në Pekin mes raporteve të tensionuara SHBA-Kinë

Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen ka mbërritur në Pekin për një vizitë katër-ditore që synon përmirësimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, megjithëse pritshmëritë nuk janë të larta nga asnjëra palë.

Yellen u prit nga një zyrtar i ministrisë kineze të Financave dhe i dërguari i SHBA-së në Kinë.

Të dy vendet pranojnë se shqetësimet e sigurisë kombëtare kanë lënë në hije lidhjet ekonomike dhe ka dyshime se vizita e Yellen do të lehtësojë ndjeshëm tensionet.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë theksojnë rëndësinë e dialogut, edhe kur ekzistojnë mosmarrëveshje.

Gjatë vizitës së saj, Yellen planifikon të trajtojë ato që SHBA i konsideron praktika “të padrejta” nga Kina, siç janë veprimet ndëshkuese kundër kompanive amerikane dhe barrierat për aksesin në treg.

Ajo është planifikuar të takohet me kryeministrin e Kinës Li Qiang dhe ish-zyrtarin e ekonomisë Liu He.

Agjencia e lajmeve Reuters citon analistët kinezë të kenë kritikuar SHBA-në për shqetësimet e saj mbi praktikat tregtare të Kinës, duke theksuar nevojën për një qasje të balancuar.

Edhe pse nuk priten përparime të mëdha, zyrtarët amerikanë thonë se Yellen do të provojë të hapë linja të reja komunikimi dhe koordinimi për çështjet ekonomike dhe të theksojë pasojat e ofrimit të ndihmës për Rusinë, diçja që Kina e ka kundërshtuar me vendosmëri.

Udhëtimi i shumëpritur i Yellen vjen disa javë pas një vizite të Sekretarit të Shtetit Antony Blinken, i cili ra dakord me presidentin kinez Xi Jinping se rivaliteti i ndërsjellë nuk duhet të kalojë në konflikt.

Të dyja vizitat shihen si kritike për përmirësimin e komunikimit pasi ushtria amerikane rrëzoi një balonë kineze mbi Shtetet e Bashkuara.

Këto takime vijnë përpara një takimi të mundshëm midis presidentit amerikan Joe Biden dhe Xi në mbledhjen e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor të planifikuar për në nëntor në San Francisko./REL

Exit mobile version