Pas prezantimit të Alban Skenderaj, Rona Nishliut dhe Besës, trajneri që plotëson katërshen fantastike të “The Voice of Albania 6” është Xuxi.
Xuxi është një nga artistët më urban dhe eksperimental në Kosovë. Naim Bujaku, i njohur me emrin artistik Xuxi, fillon karrierën e tij artistike në vitet ‘80, si pjesëtar i grupit “Sahara”.
Ndonëse, kaloi shumë vite në emigracion, Xuxi nuk u shkëput kurrë nga muzika. Rikthimi i tij në Kosovë e bëri të fillojë menjëherë punën për albumin e tij të parë, që pati super hite si ‘Funky ty të zëvendëson’ apo një prej baladave më të bukura të muzikës moderne shqiptare “Eja më merr”. Albumi numëron 8 këngë të stilit funky.
Një tjetër pasion i tij i vjetër është radio. Ai punon si moderator, ka një program të vetin të cilin e drejton prej vitesh. Xuxi bën pjesë në gjeneratën e artistëve të Kosovës, të cilët revolucionarizuan kulturën muzikore.
Se çfarë do të sjellë ai në skenën e ‘The Voice of Albania” ngelet për t’u parë!