Site icon PrishtinaPress

Xhemaili i PDK-së: Hoti po mburret me projektet tona

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bajrush Xhemaili ka thënë se kryeministri Avdullah Hoti po mburret me projektet e PDK-së.

Ky reagim i Xhemailit vjen pasi që gjatë ditës së sotme, kryeministri Hoti ka marrë pjesë në përurimin e një shkolle në Lipjan.

“Kryeministri Avdullah Hoti ka zgjedhur pikërisht ditën e rifillimit të mësimit nëpër shkolla për t’u mburrur me projektet e PDK-së. Në përurimin e shkollës fillore ‘Haradin Bajrami’ në Magurë të Lipjanit, Hoti paska thënë se “ai kishte qenë iniciator i ndërtimit të kësaj shkolle”. Por, e vërteta është tërësisht ndryshe”, ka shkruar ai në Facebook.

Xhemaili ka thënë se gurëthemeli i shkollës në Lipjan është vënë nga ish ministri i PDK-së.

“Gurëthemelin e kësaj shkolle me 11 nëntor të vitit 2016 e kishte vënë ish ministri i arsimit nga radhët e PDK-së, Arsim Bajrami. Ishte pikërisht iniciativë dhe premtim i PDK-së, se kjo shkollë do të jetë moderne dhe do të ofrojë kushte të mira për mësimdhënie dhe mësim nxënie, çfarë i ka sot. PDK-në e gëzon fakti që ky projekt, të cilin e ka nisur dhe është angazhuar shumë për të, tashmë ka përfundur dhe në këtë fillim të ri shkollor, nxënësit e mësimdhënësit do të kenë kushte më të mira për zhvillimin e mësimit”.

Më tej ai ka thënë se “PDK e kupton edhe mashtrimin e kryeministrit dhe tentimin e tij për përvetësimin e projekteve të tilla, sepse gjatë 100 ditëve të qeverisjes së tij, ai nuk ka as një projekt me të cilin mund të mburret, përveç një numri të madh dështimesh dhe zhgënjimesh”.

Ndryshe, kryeministri Avdullah Hoti gjatë ceremonisë së përurimit të shkollës në Lipjan, ka thënë se kanë punuar shumë që të krijojnë kushtet e nevojshme për nxënës.

“Unë shfrytëzoj rastin që në ditën e parë të mësimit të vitit të ri shkollor që t’iu kërkoj të gjithë nxënësve arsimtarëve, prindërve kujdes maksimal. Kemi punuar shumë gjatë këtyre javëve bashkë me ministrin e Arsimit, Shëndetësisë që të krijojmë kushtet e nevojshme në mënyrë që të krijojmë kushte që nxënësit të mos mbesin prapa. Mësimi nuk merret askund sikur në bankat shkollore, por po ashtu jemi të rrezikuar me këtë situatë që po përballemi dhe bashkë mund t’ia dalim kësaj situate. Besoj që kjo shkollë më shumë se çdo tjetër me 3 mijë e diçka metra me kabinetet i plotëson kushtet”, kishte thënë Hoti.

Exit mobile version