Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka bërë thirrje Beorgadit zyrtar që të heqë dorë nga tentativat për eskalim në Kosovë. Ai ka thirrur edhe bashkësinë ndërkombëtare që të reagojë kundër veprimeve të Serbisë.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se shumë kriminel janë arrestuar në veri. Sipas tij, ata kanë sulmuar, kërcënuar, shantazhuar.
Sveçla ka folur edhe për veturën me targa “BG” e cila ishte e stërmbushur me armatim.
“Dje shmangëm një sulm terrorist ndaj Republikës së Kosovës. Mbrëmë u identifikua një makinë me targa të Beogradit, rreth 100 metra larg komunës së Zvecanit. Aty janë zbuluar sasi të mëdha të armatimit, municione të ndryshme. Ka shenja me simbole formacionin kriminal “Brigada e Veriut”, shenja dalluese të Njësiteve Ruse, radiolidhje…”, u shpreh ai.
Më tutje, i pari i MPB-së tregoi edhe për origjinën e këtyre armëve, të prodhuara në vitin 2021.
“Këto mjete kishin për qëllim sulme terroriste ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Vuçiq përmes grupeve dëshiron të destabilizojë vendin tonë. Granatat e dorës janë prodhim serb i vitit 2021, e nuk janë armë që kanë mbetur nga lufta e viteve 98-99 në Kosovë”, u shpreh ai.
“I bëjmë thirrje Beogradit të tërhiqet nga këto akte kriminale e tash edhe terroriste dhe të ndalojë tentativat dhe dëshirën për eskalim në vendin tonë,. I bëjmë thirrje faktorin ndërkombëtar të reagojë ashpër ndaj këtyre ngjarjeve dhe të dënoj sjelljen e dhunshme e terroriste të Serbisë ndaj Kosovës. Qytetarëve u bëjmë thirrje të informohen nga kanalet zyrtare dhe të mos bien pre e dezinformatave”.
Ai ka deklaruar se do të kërkojë që organizata “Severna Brigada” të shpallet terroriste.
“Ditëve në vijim do kërkoj nga Qeveria që organizatat, mbrojtja civile dhe Severna Brigada të shpallen organizata terroriste me çka lufta ndaj tyre do jetë edhe më efikase”.