Rrahim Fejzullahu, xhaxhai i Lulzim Fejzullahut, i ka bërë kërkesë publike avokatit Tomë Gashit, që ta përfaqësojë lëndën e vrasjes së nipit të tij, Lulzimit.
“E kam një kërkesë te avokati Tomë Gashi. Tu kisha lut llogaritëm si të duash, merre rastin e djalit në dorë nëse ekziston mundësia dhe ta përfaqësosh lëndën e tij”, tha Rrahim Fejzullahu, xhaxhai i Lulzim Fejzullahut.
Kërkesa e tij, u pranua menjëherë nga avokati Gashi.
“Një kërkesë e tillë është vështirë të refuzohet por në këtë rast mundet të jetë e pranueshme për interesin e drejtësisë. Po e pranoj”, u deklarua Gashi.
Sipas prizmit të avokatit Gashi, pamjet e publikuara në media “janë skena si të filmave, njëherë të neutralizohet e pastaj t’i shkaktojë me shkop lëndime vdekjeprurëse”.
Rrahim Fejzullahu, xhaxhai i Lulzim Fejzullahut, ka njoftuar se pas vrasjes së nipit të tij, në shtëpi i kanë shkuar familjarë të sulmuesve.
Në RTV Dukagjini, xhaxhai i të ndjerit kërkon drejtësi nga organet përkatëse.
“Në momentin kur janë rrok te berberi, aty kishte qenë edhe një polic. E kam pyetur a ka reaguar, më ka thënë nuk ka reaguar. Gjyshi i njërit prej tyre më ka ardhur pas 2 dite në shtëpi, a më pranon, i kam thënë po se shqiptar jemi. Të rinjtë tha nuk po din, edhe i joni tha është i therur. I thash nuk është e vërtetë, nuk është bash qashtu, faktet tregojnë krejt tjetër gjë. Kur i ka parë kamerat atëherë u bind. Më tha me pas dit, nuk kisha ardh”.
“Tjetri babai i sulmuesit ma ka dërguar një njeri tjetër ka thënë nëse ka nevojë me dërgu jashtë shtetit për ta mjekuar, e dërgojmë me hargjimet e mia. I kam thënë faleminderit nuk kam nevojë, ma ke mbytur po ta shnoshi, s’kam nevojë. Nga shteti kërkoj drejtësi, kanë gjetur thika apo jo, nipi i ndjerë nuk flet. Unë nuk e di e kujt ka qenë. Djali nuk ka qenë problem. Kush e ka njohur fjalë te keqe për të nuk ka”, tha ai.