-4.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Xhaxhai i Bedri Rexhepit thotë se vrasja e tij është bërë në pabesi

Të mërkurën, në rastin ku Jeton dhe Nexhat Vllasaliu po akuzohen për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar edhe xhaxhai i tij, Avdyl Rexhepi, i cili tha se vrasja e tij është bërë në pabesi, duke shtuar se nuk mund të jetë ndryshe.

Një deklarim të tillë, dëshmitari Rexhepi e ka bërë pasi përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Besnik Berisha e ka pyetur atë në lidhje më deklaratën e dhënë në polici me 8 maj 2021. Sipas avokatit Berisha, aty dëshmitari Rexhepi kishte deklaruar “Bedria ka qenë njeri inteligjent dhe i zgjuar, ka ditë me i vlerësu njerëzit dhe s’ka mujt askush me ja lëshu mjekërr, por vetëm në pabesi dhe xhelozi ka mujt dikush me marr në qafë”.Në lidhje me këtë, dëshmitari Rexhepi ka deklaruar se ashtu mendon edhe sot, duke shtuar “po ashtu mendoj edhe sot, ai kur ja ka besu poget ja ka dhanë edhe shpatën”.

Tutje, dëshmitari Rexhepi ka pohuar se vrasja e Bedri Rexhepit është bërë në pabesi, duke u përgjigjur se nuk mund të jetë ndryshe.

I njëjti, deklaroi se është takuar me të akuzuarin Jeton në sheshin Zahir Pajaziti, së bashku me Durim Krajkova, e që sipas tij, janë munduar të marrin informacione se çfarë kishte ndodhur.

Mirëpo, ai tha se nuk ka pasur përgjigje pozitive, apo diçka konkrete që ishte me interes për ta.Po ashtu, ndër të tjera dëshmitari Rexhepi ka thënë se dyshimi ka qenë gjithmonë tek i akuzuari Jeton dhe se në fund e kishin kuptuar nga mediat.

“S’um ka pelqy kurr si person sa here që e kom pa, as sjellja, as kurgjo hiq, as shikimi i tij”, ka shtuar tutje dëshmitari Rexhepi.Gjithashtu, i njëjti është përgjigjur paraprakisht në pyetjet e prokurorit Armend Hamiti.

Ai tha se me aq sa din, Bedri Rexhepi nuk i ka pasur borxh askujt, por se me mundësitë e tij i ka ndihmuar të tjerëve.

“Bedriu ka qenë shumë energjik edhe e ka dashtë punën shumë edhe ka mëndu që një ditë ta ketë një sallon edhe të jetë pak ma i dallum se tjerët”, ka shtuar tutje dëshmitari Rexhepi.

Më tej, ai ka deklaruar se me të ndjerin Bedri ishte takuar dy ditë para se të ndodhte rasti, duke shtuar se ai nuk ka pasur asnjë shqetësim.Ndërkaq, në lidhje me atë se si e kishte kuptuar se i ndjeri Bedri Rexhepi nuk lajmërohej dhe se nuk ishte kthyer në shtëpi, dëshmitari Rexhepi tha se Jakupi, nipi i këtij të fundit e kishte thirrur në telefon rreth orës 9 apo 10 të mëngjesit.
“Edhe më ka tregu që makina e Bedriut është gjet në afërsi të Janjevës në fshatin Shushicë. Prej aty unë kam fillu meniherë kam shku në vendin e ngjarjes dhe kemi vazhdu në stacionin policor në Lipjan”, tha tutje dëshmitari Rexhepi.

Po ashtu, dëshmitari Rexhepi është përgjigjur edhe në pyetjet e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Besnik Berisha dhe avokatit Ndrece Dodaj.

Avokati Dodaj kërkoi të di nga dëshmitari nëse kanë pasur ndonjë problem me të akuzuarin Jeton pas vitit 2016, mirëpo një pyetje të tillë e ka kundërshtuar avokati Berisha me pretendimin se duhet të respektohen rregullat e parashtrimit të pyetjeve të tërthorta. Avokati Dodaj tha se si mbrojtja, por edhe vetë i pandehuri veprimet inkriminuese të natyrës objektivë nuk i ka kundërshtuar se është vrasës përpos formës kualifikuese dhe se kryesisht nuk ka të bejë me veprime inkriminuese të pandehurit por që më shumë sipas tij, i referohen anës subjektive dhe personalitetit të tij.

“…këtu objekt shqyrtimi s’osht personaliteti i tij dhe meqë u toleruan këto pytje më herët ne ketë mënyrë edhe pyetjet e mia kane te bëjnë rreth personaliteti te pandehurit”, tha avokati Dodaj.Trupi gjykues lejoi parashtrimin e pyetjes se lartcekur dhe për të dëshmitari tha se jo nuk kanë pasur ndonjë problem pas vitit 2016 me të akuzuarin Jeton.

Tutje, është dëgjuar dëshmitari Ismet Rexhepi, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Hamiti mes tjerash deklaroi se që nga momenti kur kanë kuptuar për zhdukjen e të ndjerit B.R është munduar që të gjejë çfarëdo informacioni që mund të qoj deri në zbardhjen e së vërtetës.

Ai tha se është takuar një here me tani të akuzuarin Jeton Vllasaliu pasi që kishte dëgjuar se i njëjti i kishte thënë të tjerëve se Bedri Rexhepi ka për tu gjetur i gjallë dhe shëndosh e mirë por do të prishej shoqëria me të.

Andaj, kjo e kishte shtyrë dëshmitarin që të takohej me të akuzuarin Jeton, në mënyrë që të kuptoj se përse është shprehur në atë mënyrë, mirëpo që nuk kishte marrë asnjë informacion lidhur me këtë apo me rastin.Gjatë deklarimit të tij, dëshmitari tha se është takuar disa here edhe me një familjar të tani akuzuarve Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, përkatësisht me Ismajl Vllasaliun dhe se i njëjti ka shpreh gatishmërinë që të bashkëpunojnë për të ndihmuar.

“Ai ka shpreh gatishmërinë qe te dy palët te bashkëpunojnë me gjet Bedrin, unë kom kërku prej Ismajlit qe ta përdor te gjithë autoritetin e tij brenda familjes ne mënyrë qe Jetoni t’ju tregon nëse ka dijeni diçka për Bedriun pa kushte qofte gjalle apo i vdekur çfarëdo informacioni, vetëm një lajm se ku është sot”, tha dëshmitari.Sipas dëshmitarit, familjari Ismajl Vllasliu i ka dhënë disa sugjerime se ku mund të jetë i nderi B.R dhe se bashku me të pas arrestimin të Jeton Vllasaliut kanë shkuar të takojnë një person në afërsi të Gjilanit i cili mund të kishte më shumë informata rreth rastit.

Tutje, ai ka shpjeguar se gjatë rrugës për në Gjilan, me ta ka shkuar edhe i akuzuari Nexhat Vllasaliu me kërkese te Ismajlit dhe se gjatë rrugës kanë biseduar për tema të shumta por që mes të tjerash në kokë i kishte mbetur vetëm fakti se pa e pyetur fare, i akuzuari Nexhat i kishte thënë se në orën 20 apo 20 e 30 është takuar me Jetonin në ditën që është zhdukur B.RGjithashtu ka treguar, se pa e pyetur fare i akuzuari Nexhat i kishte treguar për disa nga problemet financiare që i kishte Jetoni mirëpo ka shtuar se nuk i ka bërë shumë pyetje atij pasi që e ka pasur hallin se si të kthehen në Prishtinë pa i ndodhur asgjë në aspektin e sigurisë.

Pas deklarimeve të tilla seanca e sotme është ndërprerë me kërkesë të përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Berisha për shkak të temperaturave të larta në sallë dhe për shkak të përfundimit të orarit të gjykatës.Seanca e radhës është caktuar me 1 shtator të këtij viti.

Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e 14 nëntorit 2022.Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin, Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.

Sipas akuzës, ata fillimisht i kishin ndarë rolet dhe planifikuar veprimet dhe Jeton Vllasaliu duke shfrytëzuar besimin që i dëmtuari/i ndjeri Rexhepi kishte ndaj tij, e vë në lajthitje të njëjtin, ashtu që duke filluar nga 9 janar 2021, i kishte ofruar për shitje dy vetura, një “Range Rover” dhe një “BMW X3”, për vlerën prej 30 mijë euro.

Tutje, thuhet se gjatë realizimit të planit te tyre, i pandehuri Jeton, më 8 prill 2021 të dëmtuarin Rexhepi e dërgon në fshatin Vllasali në shtëpinë e të pandehurit Nexhat ku paraprakisht kishin planifikuar vrasjen e tij.Pas kësaj, aktakuza thotë se i pandehuri Jeton në mënyre tinëzare duke e ngufatur e privon nga jeta Rexhepin, duke menduar se ka me vete shumën e të hollave dhe atë në vlerë prej 30 mijë euro, siç edhe ishin marrë vesh për shitjen e veturave.

Mirëpo, sipas aktit akuzues pas vrasjes tek viktima kishte gjetur vetëm shumën prej 8 mijë euro që i ka ndarë me të pandehurin Nexhat Vllasaliu. Pastaj, thuhet se kufomën e të ndjerit e dërgon në katin e tretë të shtëpisë dhe në pamundësi për ta varrosur e kishte mbështjellur kokën e tij me qese të zezë të najlonit, kurse tërë trupin me perden e shtëpisë së të pandehurit Nexhat dhe e kishte lidhur me një litar.

Tutje, thuhet se veturën e të ndjerit Rexhepi e kishte dërguar në arat e fshatit Sushicë-Janjevë dhe nga aty, i pandehuri Jeton i kishte telefonuar të pandehurit Nexhat, i cili pastaj e kishte marrë me veturën e tij në rrugën që dërgon tek vendi ku e kishte lënë automjetin e të ndjerit.

Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se në këtë mënyrë, i pandehuri Nexhat do të merrte pjesë në kryerjen e veprës dhe atë duke tentuar t’i humb gjurmët e kryerjes së veprës, ashtu siç edhe ishte planifikuar më herët.Sipas aktakuzës, të nesërmen herët në mëngjes më 9 prill 2021, së bashku shkojnë në shtëpinë e tyre në fshatin Vllasali tek vendi ku ishte kufoma dhe në bashkëkryerjeje e dërgojnë në vendin kodrinor-malor të quajtur Mali i Madh në Vllasali, ku i pandehuri Nexhat e kryen veprimin siç e kishin planifikuar më herët, për zhdukjen e kufomës duke e varrosur dhe duke i fshehur edhe gjurmët deri më 30 shtator 2022, kur janë gjetur mbetjet mortore që besohet se janë të të dëmtuarit Rexhepi.

Të njëjtit, po ashtu ngarkohen me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, të pandehurit Vllasaliu më 9 prill 2021, rreth orës 06:00 në fshatin Vllasali Novobërdë, në bashkëkryerjeje me qëllim të fshehjes së gjurmëve për veprën e kryer penale e kanë fshehur kufomën e tani të ndjerit Rexhepi, duke e varrosur në një vend që nuk është vendvarrim, gjegjësisht në vendin e quajtur Mali i Madh në Vllasali, raporton betimiperdrejtesi.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img