Site icon PrishtinaPress

Xhavit Haliti dënohet me 1 mijë euro gjobë për sulmin ndaj deputetit të LDK-së, Arben Gashit

Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj deputetit të PDK-së, Xhavit Halitit, për sulm fizik ndaj deputetit të LDK-së, Arben Gashit, duke e dënuar me 1 mijë euro gjobë.

Aktgjykimi ndaj Halitit u shpall të hënën nga gjykatësi Driton Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, Haliti obligohet që gjobën prej 1 mijë euro ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij vendimi.

Sipas gjykatësit Berisha, në rast se i njëjti nuk dëshiron ose nuk mund ta paguajë dënimin me gjobë, gjykata do t’ia zëvendësojë dënimin me gjobë në dënim me burgim, duke ia llogaritur një ditë burgim me 20 euro gjobë.

Haliti obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 60 eurosh dhe në emër të kompensimit të Fondit për viktima shumën prej 20 euro.

Gjithashtu, gjykatësi Berisha bëri të ditur se detajet mbi dënimin e Halitit do të jepen pas përpilimit të aktgjykimit.

Ndryshe, më 16 janar 2024, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama e ka refuzuar kërkesën e mbrojtësit të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, avokatit Kujtim Kërveshi, për përjashtimin e gjykatësit Driton Berisha nga rasti ku Haliti akuzohet për sulm ndaj deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, që kishte ndodhur në maj të 2018-ës.

Exit mobile version