Site icon PrishtinaPress

Xhavit Haliti deklaratë interesante për zgjedhjet e parakohshme

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së Xhavit Haliti, ka shprehur kundërshti me shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme, pas dorëheqjes së Kryeministrit Ramush Haradinaj.Sipas Haliti, Kosova nuk përfiton asgjë nga zgjedhjet, përveç humbjes së kohëve ngecjeve në procese nëpër të cilat po kalon vendi.

“Unë mendoj që zgjedhjet mund të bëhen por përveç humbjes së kohe dhe shpenzime dhe ndërprerje të procesit të kryerjes së projekteve, tjetër sukses nuk besoj që do ketë” ka thënë Haliti.

Megjithatë, ai thotë se partia e tij është e gatshme të hy në garë zgjedhore.“Ne si parti jemi të gatshëm që të hyjmë në zgjedhje por jemi të gatshëm që ti shohim interesat e vendit në përputhje me marrëveshjet e mundshme që do të bëhen në negociatat tek presidenti i Kosovës dhe në negociatat shumëpalëshe apo dypalëshe me partitë politike.

Ne kemi përvojën me zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur herën e kaluar dhe gjithmonë kemi thënë se nuk ka zgjidhje pa zgjedhje.

Por secili dikaster, secila ministri dhe secili person që dëshiron ta kryej detyrën e vet që dëshiron të ketë një sukses të vetin duke qenë të zgjedhur, projekti të gjithëve po u ndërprehet në gjysmë. Gatishmëria e të gjitha partive duke përfshirë këtu dhe Partinë Demokratike të Kosovës për të shkuar në zgjedhje është evidente” ka theksuar ai.Haliti, duke u deklaruar për koalicionet e mundshme parazgjedhore u shpreh se PDK-ja është e gatshme për të bashkëpunuar me secilën parti, megjithëse sipas tij çështja e koalicioneve është rregulluar në mënyrë të gabuar.

“Ne nuk ja kemi mbyllur derën askujt, ne kemi patur një koalicion, kemi përvojën me koalicione të ndryshme. Situatën që e ka Kosova për momentin, fuqia politike e një partie nuk është që si e vetme të fitojë 61 vota që ta bëjë qeverinë, gjithsesi do të duhet që kushdo që të hyjë në zgjedhje të bëjë një koalicion. Problemi qëndron tek Kushtetuta sepse Gjykata Kushtetuese me vendimet e saj të gabueshme ka favorizuar gjithmonë koalicionin parazgjedhor por realisht demokratike do të ishte që koalicioni paszgjedhor. ai koalicion që i bë 61 vota të kishte të drejtë me formu qeverinë”, tha në fund ai.

Vendimi për dorëheqje i Ramush Haradinajt nga posti i Kryeministrit, u pasua me ftesën që Gjykata Speciale ia bëri për intervistim në cilësi te të dyshuarit.

Menjëherë pas këtij vendimi shumica e partive politike kanë shprehur vullnetin e tyre për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Ndërkohë, akoma nuk ka asnjë lëvizje nga njeriu i cili e ka në dorë çështjen e zgjedhjeve. Presidenti i shtetit Hashim Thaçi, nuk ka bërë asnjë veprim lidhur me këtë, ndonëse subjektet politike janë në pritje të një ftese nga ai për konsultim lidhur me datën për zgjedhje.

Exit mobile version