Shqiptarët në shumë vende të botës janë organizuar për ta festuar dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Natyrisht se organizimet nuk kanë munguar edhe në qytete të ndryshme në Angli. Padyshim se organizimi kryesor është bërë në kryeqendër, në Londër.
Pjesë e këtij manifestimi ka qenë edhe futbollisti shqiptar që luan në Ligën Premier, Granit Xhaka.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai i ka falënderuar të gjithë ata që ishin të pranishëm në festë.
“Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen mbrëmë në festën e organizuar në Londër me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së shtetit tonë”, ka shkruar 25-vjeçari në Instagram.
“Gëzuar 10-vjetorin e pavarësisë Kosova jonë e dashur, krahu i djathtë shqiponjës dykrenore të mbetur padrejtësisht jashtë kufijve shtetërorë, por brenda zemrës së çdo shqiptari”.
“Rrugë të mbarë shtetit tonë të ri. Gëzuar festën e Pavarësisë”, ishte urimi i Xhakës i publikuar më 17 Shkurt në Instagram.
Mesfushori shqiptar, i lindur në Zvicër, është pjesë e Arsenalit nga viti 2016 kur u transferua për një shumë ndërmjet 30 e 35 milionë funte (34 e 40 milionë euro).