Shitja eventuale e Ousmane Dembélé e ka “dridhur” Barcelonën pak javë para fillimit të sezonit të ri.
Futbollisti francez, siç raporton mediumi “COPE”, duket se është i bindur nga projekti i Paris Saint-Germainit.
Por, “Blaugrana” nuk e kanë ndërmend të heqin dorë lehtë nga sulmuesi i krahut.
Drejtori futbollistik i kampionit spanjoll, Mateu Alemany thuhet se e ka organizuar një takim me lojtarin, të cilit ia shpjegoi rolinn e tij të rëndësishëm për ekipin dhe se është i pashitshëm, përkundër prezencës së klauzolës në kontratën e tij (50 milionë euro, e cila do të përfundojë në mesnatë sonte dhe më pas do të bëhet 100 milionë).
Duket se ish-futbollisti i Borussia Dortmundit e kishte një takim dje edhe me trajnerin Xavi Hernandez, i cili ia ka treguar rëndësinë që e ka në ekip dhe në projektin e tij teknik.
Sidoqoftë, duket se Dembélé iu ka thënë disa bashkëlojtarëve se e ka pranuar ofertën e parisienëve.
Gjithashtu, presidenti Joan Laporta është i zhgënjyer me sjelljen e drejtuesve të PSG-së, të cilët e kanë dërguar një kërkesë të autorizimit për të biseduar me lojtarin.
Skuadra e Barcelonës momentalisht gjendet në Dallas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku po e kryen fazën përgatitore para-sezonale.