Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka thënë se largimi i Alexis Sanchezit drejt Manchester Unitedit nuk do të jetë po aq i dhimbshëm për të apo adhuruesit e Arsenalit sa ai i Robin van Persiet në vitin 2012.
Wenger beson se tashmë gati të gjithë janë pajtuar me faktin se sulmuesi kilian nuk e ka ndërmend ta ripërtërijë kontratën me klubin, ndërkohë që për qëndrimin e holandezit kishte shpresë deri në momentin kur ai e publikoi deklaratën famëkeqe të lamtumirës, transmeton Express.
Duke shtuar faktin këtu se “Topçinjtë” do ta marrin Henrikh Mkhitaryanin në shkëmbim, largimi i Sanchezit do të jetë më pak tronditës sipas trajnerit francez.
“Tifozët tanë e dinë se Alexis nuk do ta zgjasë kontratën. Ata janë pajtuar me idenë dhe faktin se ai nuk do të qëndrojë. Ne po e humbin një lojtar, por po e fitojmë një tjetër. Mendoj se njëri do ta zëvendësojë tjetrin”, ka thënë Wenger.
Wengeri shpjegoi sa e rëndë ishte për Arsenalin ta humbiste Robin van Persien.
“Ne e morëm Van Persie kur ai po luante në ekipin rezervë të Feyenoordit. Kemi punuar gjatë më të. Dhemb më së shumti kur e shpie deri këtu një lojtar dhe ai largohet”, shtoi Wenger.