Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka thënë se ndryshimi i trajnerit Luis Enrique bëri që reputacioni i tij nga “idiot” në “hero”, në një hapësirë të tillë të shkurtër kohe, përmbledh këtë profesion në ditët e sotme.
Luis Enrique njoftoi në fillim të marsit se do ta lërë rolin e tij në krye të Barcelonës, kur kontrata e tij të skadojë në verë. Spanjolli ka qenë në drejtim të katalanasve në një nga përmbysjet më të paharrueshme të të gjitha kohërave.
Barcelona e tij arriti të zhbëjë disavantazhin 4-0 në ndeshjen e parë ndaj PSG-së, në Champions, për të fituar me rezultatin 6-5 në total dhe kualifikuar në çerekfinale të këtij kompeticioni, shkruan Telesport.
“Thjesht përmblidhni atë që ndodhi në dy javë me Luis Enrique te Barcelona. Më parë ishte një idiot dhe të gjithë thanë se duhet të largohet, kështu që edhe ai pranoi: OK, unë do të largohem. Shihni sot, ai është një hero. Kjo përmbledh punën tonë si trajnerë”, ka thënë Wenger.
Kontrata e teknikut francez të Arsenalit pritet të përfundojë në verë, ndërsa bosi i “Gunners” është nën presion, pas një humbjeje 3-1 në Liverpool, e cila u pasua nga një goditje e madhe 5-1 në kthimin me Bayern Munich, në Champions.
Duke folur të enjten, përpara ndeshjes së “FA Cup”, kundër Lincoln City, Wenger tregoi se nuk e ka përfunduar misionin në “Emirates” ende: “Ndihem shumë i fortë, shumë i motivuar, i gatshëm për të dhënë më të mirën. Dashuria për këtë lojë, pasioni për futbollin dhe klubin dalin mbi çdo pasiguri”.
Duke reflektuar mbi përmbysjen e pabesueshme të Barcelonës, Wenger tha: “Është interesante në një këndvështrim psikologjik, ndaj kam kërkuar për të parë se si Barcelona e përfundoi lojën. Pra, e kam shikuar këtë përmbysje jo aq në planin taktik, por se çfarë ndodh mentalisht në kokën e lojtarëve. Kam pyetur veten si mund të ndodhë kjo, si lojtarët e PSG-së ngrinë papritur. Dhe bëhet fjalë për lojtarë me përvojë, jo dosido.”