Gazeta e famshme amerikane, “The Washington Post”, ka shkruar për deklaratën e Ministres së Jashtme të Kosovës, e cila të mërkurën tha se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq nuk do të lejohet ta vizitojë vendin derisa të kërkojë falje për gjenocid kundër popullsisë së Kosovës.
Meliza Haradinaj-Stublla gjithashtu shkroi në Twitter se nuk do të jepet asnjë leje për zyrtarët serbë derisa serbët të mbahen përgjegjës për gjenocid në një gjykatë ndërkombëtar.
“E përsëris edhe një herë përgjigjen e vetme dhe të përhershme ndaj të gjitha kërkesave të ardhshme nga Vuçiqi dhe të tjerët: nuk ka leje për ju që ta vizitoni Kosovën, nëse nuk kërkoni falje për gjenocidin e kryer ndaj popullit tonë dhe derisa personat përgjegjës për këtë gjenocid të mbahen përgjegjës”, shkroi ajo.
Vuçiqi dhe zyrtarët tjerë serbë duhet të kërkojnë leje të Kosovës para se t’i vizitojnë zonat e pakicës etnike serbe në ish provincën serbe, shkruan “The Washington Post”.
Lufta e Kosovës e viteve 1998 dhe 1999, e cila përfundoi pas fushatës 78-ditëshe të bombardimeve të NATO-s, la mbi dhjetë mijë të vdekur, shumica shqiptarë, shkruan kjo gazetë.
Haradinaj-Stublla reagoi pas pranisë së Vuçiqit në inaugurimin e një spitali në Beograd, ku është gjetur një varrezë masive e 744 shqiptarëve të vrarë më 1999.
Disa varreza masive me trupat e shqiptarëve të Kosovës të vrarë nga trupat serbe gjatë luftës së viteve 1998-99 janë gjetur në pjesë të ndryshme të Serbisë. Zhvendosja e viktimave nga Kosova në Serbi ishte pjesë e një operacioni të fshehjes nga autoritetet serbe në atë kohë në përpjekje për t’i fshehur dëshmitë e krimeve të luftës.
Javën e kaluar, misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë tha se mbetje njerëzore që duket të jenë varrezë masive e shqiptarëve nga Kosova është gjetur në një minierë të papërdorur thëngjilli në Kizevak, që shtrihet në pjesën jugore të Serbisë.
Vuçiqi tha të martën se Haradinaj-Stublla ka kërkuar që të jetë e pranishme në punimet në Kizevak me qëllim që të krijojë një “show” politik.
Ndonëse disa nga zyrtarët e saj më të lartë ushtarakë janë dënuar nga një gjykatë e Kombeve të Bashkuara për krime lufte gjatë luftës së viteve 1998-99, Serbia kurrë nuk e ka pranuar kryerjen e krimeve në ish-provincën e saj.
Ndërkohë një gjykatë ndërkombëtare me bazë në Hagë të Holandës ka ngritur aktakuza dhe i ka arrestuar nën dyshimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ish-presidentin e Kosovës dhe katër ish-komandantë të tjerë të lartë të guerilëve shqiptarë, të cilët kanë luftuar për pavarësi nga Serbia.
Javën e kaluar, Vuçiqi kërkoi leje për ta vizituar Kosovën, por një gjë e tillë iu mohua nga Prishtina.
Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë mbesin të tensionuara, pavarësisht bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja për normalizimin e lidhjeve të tyre dhe përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara.
Kosova e shpalli pavarësinë nga Serbia më 2008, por Serbia nuk e ka njohur atë.