Site icon PrishtinaPress

Walker: UÇK është siç e thotë emri i saj, ushtria serbe e tipat si Arkani ishin terroristë

Ish-kreu i misionit verifikues të OSBE në Kosovë, William Walker ka thënë se ish-drejtuesit e UÇK po hetohen padrejtësisht në Hagë, pasi qëllimi i luftës se tyre ishte çlirimi i vendit.

Sipas tij, termi terrorist nuk mund të përdoret për të përshkruar UÇK-në, por ushtrinë dhe paramilitarët serbë si Arkani.

“UÇK është siç e thotë emri i saj. UÇK ishte një grup të rinjsh kryesisht, të cilët nuk e duruan më shtypjen dhe  krimet e luftës qe po kryheshin nga qeveria e Beogradit. Ata morën armët të mbronin veten e tyre, fshatrat dhe të mbronin familjet e tyre dhe rezultat i kësaj ishte luta”, është shprehur Walker për Euronews.al.

“Mendoj se është një përdorim i çuditshëm i fjalës terrorist, për të përshkruar UÇK. Fjalën terrorist do ta përdorja për ushtrinë serbe, policinë, paramilitaret, tipat si Arkan dhe grupet e tij të milicive që kryen akte vërtetë të tmerrshme në Kosovë”.

Walker, që ishte dëshmitar i masakrës së Reçakut, që do të ndryshonte më pas historinë e Kosovës, tha se Kosova dhe Serbia nuk janë trajtuar njësoj, pasi palës humbëse, Serbisë, nuk po i kërkohet përgjegjësi për mizoritë që ka kryer në Kosovë.

“Zyrat e prokurorisë speciale pretendojnë se krimet e luftës, mizoritë u kryen nga UÇK. Dhe tani ata po përpiqen të hetojnë disa njerëz të cilët i kane identifikuar si fajtorë… po flasim për 5 luftëtarë që kane shkuar në Hagë, përfshirë presidentin Thaçi dhe ish-kryetarin  e parlamentit, Kadri Veseli”.

“Një prej tyre ishte komandant në terren, Jakup Krasnqi, të cilin e njoh e kam takuar disa herë gjatë luftës. Ai nuk ka qenë luftëtar në gjykimin tim, ka qenë zëdhënës i UÇK dhe Thaçi nuk ishte një luftëtar, ishte një drejtues politik i organizatës”

“Dhe të dëgjosh se për 7 orë pati bastisje në shtëpitë e tyre, dhe më shumë në shtëpinë e Krasniqit e shoh të gjithë procesin të çuditshëm”.

Sipas z. Walker, presidentin serb Vuçiç, që ka qenë ministër i Millosheviçit, nuk e ka akuzuar askush në gjithë këto vite

“Sipas mendimit tim nuk ka pasur përpjekje të ngjashme ndaj palës serbe. Së fundmi pati zgjedhje në Serbi, dhe z. Vuçiç është akoma në pushtet. Por z. Vuçiç ishte propagandues, ishte ministër i informacionit të Millosheviçit, gjatë periudhës më të keqe të gjenocidit”.

“Nuk kam dëgjuar që askush ta akuzoje atë për asgjë, në asnjë lloj procesi ligjor dhe e shoh situatën shume asimetrike. Dy palët po trajtohen në mënyra të ndryshme. Ironia është se pala fituese po paguan çmimin dhe pala humbëse, Serbisë nuk po i kërkohet përgjegjësi për krimet e tmerrshme që ka kryer, për të cilat njerëzit e misionit tim ishin dëshmitarë”.

Exit mobile version