Ish-ambasadori i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, ka nderuar viktimat e Masakrës së Reçakut në përvjetorin e 25-të të kësaj masakre.
Walker ka thënë se këtë radhë edhe pse me shkop, ka dashur të jetë prezent në Reçak për të nderuar miqtë e familjarët e këtij vendi.
“Kjo nuk është vizita ime e parë në Reçak, mendoj se është e 21, 22 apo 23. Unë vij të nderoj fshatin Reçak, vij të përshëndes miqtë e mi, familje nga fshati Reçak, disa prej tyre i njoh prej 25 vitesh, disa fatkeqësisht kanë ndërruar jetë. Kjo është hera e parë që duhet të vij me shkop, por prapë dua të jem në Reçak në çdo rast që mundem”, tha Walker.
Ai gjithashtu ka potencuar se falë sakrifices së shumë djemve të fshatit, Kosova sot gëzon një demokraci plotësisht funksionale.
“Për mua është shumë emocionuese. Është një histori e mrekullueshme për të cilën populli i këtij fshati fatkeqësisht është dashur të sakrifikojë shumë djem të fshatit. Ju tani keni një Republikë të Kosovës, një president, një kryeministër, një demokraci plotësisht funksionale dhe jam shumë krenar që jam këtu me ju në këtë vend që do të thotë shumë për mua, për popullin e Reçakut dhe për të gjithë Kosovën”, është shprehur ai.
Walker ishte personi i parë që vizitoi Reçakun, në ditën kur ndodhi masakra në këtë fshat.
Asokohe, Walker ishte shef i një misioni vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Pas vizitës në vendin e masakrës, ai mbajti një konferencë në Prishtinë, ku për herë të parë deklaroi se ajo që kishte parë, ishte “një krim i rëndë kundër njerëzimit”.
Ngjarja e Reçakut u pasua nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë si dhe në Serbi.