Site icon PrishtinaPress

VV mbështet Listën e Shaip Kamberit në zgjedhjet në Serbi, organizon nesër tubim

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosja ka bërë të ditur se në zgjedhjet në Serbi do ta mbështesë Listën “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, në zgjedhjet që do të mbahen më 17 dhjetor në Serbi.

VV thotë se është e domosdoshme që në këto zgjedhje shqiptarët ta votojnë listën e përbashkët të pesë subjekteve shqiptare, listë në të cilën bartës do të jetë Shaip Kamberi (PVD), dhe mbështetet nga Ragmi Mustafa (PDSH), Shqiprim Musliu (LPD), Naser Azeri (UDSH) dhe Armend Aliu (Lëvizja për Luginën).

“Pesë partitë politike shqiptare janë bashkuar, tash edhe votuesit shqiptarë duhet të bashkohen. Përçarja, në këtë moment nuk i shërben demokracisë, por Vuçiqit. Është e domosdoshme që shqiptarët të përfaqësohen në parlament nga zëra të pavarur dhe me integritet moral e patriotik. Kritikat që Shaip Kamberi ia ka bërë regjimit të Vuçiqit që nga parlamenti i Beogradit, kanë qenë me vlerë të madhe kombëtare, sepse i kanë dhënë zë shqetësimeve reale të shqiptarëve të Luginës, të cilët janë trajtuar posaçërisht keq nga qeveria Vuçiq. Organizata ndërkombëtare me besueshmëri, si Amnisty International, kanë vlerësuar që ky regjim ka bërë spastrim etnik me metoda administrative kundër shqiptarëve në Luginë, duke pasivizuar adresat e tyre. Është koha pra që të mbahet një qëndrim i qartë kundër kësaj qeverie dhe bashkëpunëtorëve të saj”, thuhet në një njoftim.

VV ka bërë të ditur se nesër në Prishtinë do të organizojë një tubim, ku janë të ftuar të gjithë e posaçërisht ata që kanë prejardhje nga Lugina.

 

Exit mobile version