Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë i ka vënë përgjegjësinë kryesore kryetarit Përparim Rama për arrestimet e djeshme, në lidhje me parregullsitë në Qendrën për Punë Sociale, duke thënë se është një veprimtari kriminale e organizuar në nivel të pushtetit lokal në kryeqytet.
Të premten, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se dy zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale, V.M., dhe V.M., në Prishtinë janë ndaluar nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ata dyshohet se kanë punësuar rreth 10 persona në mënyrë të kundërligjshme dhe se njërin nga këta persona e kanë punësuar si menaxhere për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, “përkundër faktit se e angazhuara nuk i kishte plotësuar kushtet ligjore për të trajtuar një rast të tillë dhe të ndjeshëm”. Më vonë u raportua edhe për arrestimin e shefit të personelit në Komunën e Prishtinës, F.A. Gjatë mbrëmjes u intervistua edhe nënkryetari i Komunës, Alban Zogaj, në cilësinë e dëshmitarit për tri arrestimet.
Sipas VV-së në Prishtinë, arrestimet e fundit janë dëshmia më e mirë dhe më e pakontestueshme e kaosit ligjor në të cilin është zhytur Komuna e Prishtinës.
“Si opozitë lokale vazhdimisht kemi ngritur zërin për parregullësitë dhe shkeljet ligjore që kanë ndodhur e vazhdojnë të ndodhin tash e dy vjet në çdo segment të qeverisjes në Kryeqytet. Prishtina tani, nën qeverisjen LDK-PDK, është shndërruar në qytet kampion për paligjshmëri, padrejtësi e anarki. Nuk ka dyshim se përgjegjësia kryesor për këtë gjendje bie mbi të parin e Kryeqytetit, Përparim Ramën, për shkak të veprimeve të tij paligjshme, e të cilat tashmë çdo ditë po shpërfaqen në opinion”, thuhet në reagimin e tyre në Facebook.
VV-ja thotë se është e bindur që tash s’bëhet fjalë për veprime individuale të personave të arrestuar e të intervistuar, “por kemi të bëjmë me veprimtari kriminale të koordinuar e organizuar në hierarki të pushtetit lokal në Prishtinë”.
“Kërkojmë nga organet e hetuesisë dhe drejtësisë që rastin në fjalë, por edhe rastet e tjera të sinjalizuara e të denoncuara, t’i trajtojnë me prioritet e profesionalizem maksimal dhe t’i sjellin para përgjegjësisë të gjitha ata që në çfarë do mënyrë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin e për interesa personale e partiake, familjare e klanore. Nepotizmi, korrupsioni, keqpërdorimet, hajnia, paligjshmëria e pabarazia nuk janë as të pranueshme e as të lejueshme. Prishtina dhe qytetarët e Prishtinës duan dhe meritojnë qeverisje të pastër e të drejtë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e partisë kryesore opozitare në kryeqytet.