Kandidati për deputet nga PDK-ja, Bekim Haxhiu, e ka komentuar shkuarjen e kryeministrit Albin Kurti në Skenderaj për të mbajtur tubimin e radhës.
Në Edicionin Special të Klan Kosovës, Haxhiu tha se në ditën kur janë anuluar aktivitetet politike në Skenderaj për shkak të aksidentit me tre viktima në Çubrel, pra dje, LVV-ja me Kurtin kanë bërë përpjekje për ta tensionuar situatën atje.
“Është fyese për Drenicën që dikush që ka komunikuar me Radojçiqin për të eliminuar nga paga minimale veteranët e UÇK-së të shkojë të mbajë tubim të hapur, është e njëjta qeveri që Drenicën e ka lënë pa ujë. E njëjta qeveri e cila nuk ka mbështetur Skenderajn dhe qytetarët e këtij vendi kur e kishte fatkeqësinë e vërshimeve, një qeveri e tillë që refuzon dhe injoron drenicasit, normalisht që ka reagime të qytetarëve ndaj kësaj qeverie e cila për katër vjet injoroi Drenicën dhe i ofendoi me pjesëmarrjen e saj atje dhe me Mimoza Kusarin e cila ka komunikuar me Radojçiqin”, ka thënë Haxhiu, njofton Klankosova.tv.
“Duke ditur që nuk kanë përkrahës atje, as 200 vetë, ishte qëllim i Kurtit për të bërë përpjekje për ta tensionuar situatën, sepse nuk ka çka prezanton as nga puna e tij katërvjeçare e as se çfarë do të bëjë në katër vitet e ardhshme”.
“PDK në Skenderaj pushoi aktivitetet e saj, e lëre me u marr me Kurtin”, u përgjigj Haxhiu kur u pyet nëse PDK-ja qëndron prapa asaj që ndodhi mbrëmë në Skenderaj.
“Ishte reagim i vetë qytetarëve”, u shpreh më tej ai, njofton Klankosova.tv.