Site icon PrishtinaPress

VV-ja e Kurtit me mbështetje për partitë e majta në Evropë: Ardhja në pushtet e së djathtës ekstreme, fatale për Evropën

Partia e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, ka marrë qëndrim që t’i mbështet subjektet e majta në Evropë nën emrin “Nouveau Front Populaire”.

Sipas VV-së, rezultatet e zgjedhjeve të fundit të mbajtura më 9 qershor në BE nuk ishin ato që, siç tha kjo parti, do të donin për vetë vlerat e këtij bashkimi si liria, demokracia e barazia.

“Si pasojë e këtij rezultati, edhe Presidenti Francez Emmanuel Macron shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen me 30 qershor dhe 7 korrik 2024. Lëvizja VETËVENDOSJE! si subjekt socialdemokrat dhe si pjesë e familjes socialdemokrate evropiane (PES-it, Aleancës Progresive, Internacionales Socialiste) shpreh shqetësimin e saj mbi gjasat e fitores së një qeverie të udhëhequr nga e djathta ekstreme në Francë”

“Kjo do të rrezikonte jo vetëm rizotimin e Bashkimit Evropian për angazhim drejt zgjerimit me shtetet e Ballkanit Perëndimor, por do të përhapte edhe më tej narrativat destruktive dhe dezinformatat e ekstremit të djathtë për Kosovën, në veçanti të ushqyer nga boshti Moskë-Beograd”.

“Në këto rrethana mbesim me shpresë që bashkimi i subjekteve të majta nën emrin ‘’Nouveau Front Populaire’’ do të triumfojë dhe do ta parandalojë fitoren dhe ardhjen në pushtet të së djathtës ekstreme, gjë që do të ishte fatale për shoqërinë dhe vlerat e solidaritetit dhe bashkëjetesës jo vetëm në Francë, por kudo nëpër kontinentin e Evropës”, thuhet në reagimin e VV-së, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, VV-ja u shpreh e bindur që populli francez, përmes zgjedhjeve dhe rrugëve demokratike do të reduktojë mbështetjen e, sipas tyre, kërcënimit të ekstremit të djathtë.

“Për këtë gjë, si asnjëherë më parë, është e nevojshme dhe e domosdoshme bashkimi i të majtës socialdemokrate si e vetmja mundësi për të ruajtur vlerat që janë ndërtuar me mund dhe sakrificë, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore”.

“Pas triumfit mbi këtë kërcënim që vjen nga ekstremi i djathtë, është e domosdoshme që forcat politike progresiste jo vetëm në Francë por kudo në Evropë, të krijojnë vizione të reja që mbajnë shpresat dhe ruajnë vlerat demokratike për një të ardhme të përbashkët të të gjithë popujve e shteteve në Bashkimin Evropian, familje kjo ku aspiron të bëhet pjesë një ditë edhe Republika e Kosovës”, thuhet në reagim

Exit mobile version