Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla ka diskutuar në mbledhjen e sotme për shpenzimet dhe buxhetin e këtij komisioni.
Deputeti i LVV-së, Driton Hyseni, tha se buxheti prej rreth 30.000 euro që është propozuar për komisionin hetimor, është i lartë.
Deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku u kërkoi deputetëve të Vetëvendosjes të mos bëhen “shumë të arsyeshëm”. Tha se mjetet do t’i kthehen Kuvendit nëse nuk shpenzohen.
Deputetja Doarsa Kica-Xhelili ka thënë se në buxhet përfshihen edhe kompensimet për ekspertë.
“Nuk di si mund t’i reduktojmë sepse janë ekspertiza të shtrenjta. Nëse ka mbetur te byfeja, hiç s’ka problem. Kafet i blejmë vetë”, ka thënë ajo.
Kryesuesi i Komisionit Rashit Qalaj tha se tabelën e buxhetit e ka bërë administrata e Komisionit./eo/