Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë realizuar një aksion simbolik para objektit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK). Ata e shndërruan RTK-në në “Ministri të Propagandës”.
Marigonë Dervinja aktiviste e VV-së tha se janë mbledhur për ta shpallur ministrinë e re.
“Ne siç e dimë jemi vend shumë i varfër por kemi shumë ministri. Jemi mbledhur për ta shpallur ministrinë e re, Ministrinë e Propagandës që për ministër ka Mentor Shalën dhe zëvendësministër Ridvan Berishën. Mentor Shala së bashku me këtë medium ka hedhur akuza të rënda ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, akuza këto që quan edhe në arrestimin e aktivistëve tanë”, ka thënë Dervinja.
Ajo ka shtuar se ky medium që për detyrë ka të ju shërbejë qytetarëve nuk po e bënë një gjë të tillë, duke e përmendur faktin se tashmë e dy muaj RTK ende nuk e ka realizuar intervistën e premtuar me kryetarin e Vetëvendosjes, Visar Ymerin.
“Ne nuk do të ndalemi deri sa ky medium të lirohet dhe tu shërbejë qytetarëve e po ashtu edhe deri sa të lirohen aktivistët tanë”, ka thënë Dervinja.