Janë bërë më shumë se tre muaj prej kur janë mbajtur zgjedhjet nacionale të jashtëzakonshme. E dy partitë që po synojnë formimin e institucioneve, ende nuk janë dakorduar për një marrëveshje. Në tri takimet që u mbajtën javën e kaluar, Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës, dështuan të arrijnë marrëveshjen për bashkëqeverisje.
Krerët e këtyre dy partive, Albin Kurti dhe Isa Mustafa nuk kanë caktuar ende asnjë takim. Të paktën kështu thotë për KosovaPress, zyrtari për media në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka.
“Nuk mund të them asgjë. Zakonisht takimet caktohen paraprakisht, por ende nuk di nëse tashmë është caktuar ndonjë”, thotë ai në një përgjigje me shkrim.
KosovaPress ka provuar të kontaktojë edhe Agim Veliu e Lutfi Hazirin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.
Megjithëkëtë, një zyrtar i lartë i LDK’së ka thënë për Express se po presin ftesë nga VV
Gjatë këtyre ditëve është raportuar që LDK po kërkon të kthehet te oferta fillestare, duke kërkuar pesë ministri, kryeparlamentarin dhe zotimin për president. Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur gatishmëri t’i japë LDK’së një ministri më shumë por jo edhe pozitën e kreut të Kuvendit të Kosovës. Pozitë kjo të cilën po e mban Glauk Konjufca.
Po bëhen më shumë se dy javë prej kur është konstituar Kuvendi i Kosovës dhe Albin Kurti, partia e të cilit doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit, ka refuzuar të marrë mandatin nga Hashim Thaçi për të formuar Qeverinë brenda 15 ditëve.