Pas pesë vjetësh, presidenti i Serbisë synon të realizojë një vizitë në Kosovë për t’iu adresuar popullit serb. Në Qeverinë e Kosovës nuk kanë treguar nëse ka arritur një kërkesë nga ana e Vuçiqit. Vitet e fundit ka pasur refuzim të vizitave nga të dyja palët edhe në nivele më të ulëta, teksa së fundi një kërkesë për ta vizituar Luginën e Preshevës iu mohua ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla. Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje palëve që t’i respektojnë marrëveshjet për vizitat e ndërsjella.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka shprehur dëshirën që të vijë në Kosovë, pesë vjet pas vizitës së tij të fundit. Synimin për t’iu adresuar popullit serb, ai e ka shprehur disa ditë pasi autoritetet e shtetit që përfaqëson nuk ia miratuan kërkesën ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, për ta vizituar Luginën e Preshevës.
“E pashë se thonë që Xhelal Sveçlës t’i lejohet vizita në territorin e Serbisë qendrore në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara në kohën e Borko Stefanoviqit dhe të konfirmuara më vonë. Nuk shoh shumë rrezik në këtë, edhe pse sigurisht që ai do të vinte të provokonte. Kam kërkuar edhe të shkoj në Kosovë e M. dhe t’i drejtohem popullit. Do të ishte mirë që të respektohen marrëveshjet dhe të flasim me njerëzit në tokën e shenjtë serbe”, ka thënë Vuçiq për mediat serbe.
Në Qeverinë e Kosovës nuk kanë treguar nëse ka një kërkesë zyrtare nga Vuçiqi dhe nëse ajo do t’i aprovohet.
Hera e fundit kur Vuçiqi vizitoi Kosovën ishte në vitin 2018. Prej atëherë, me gjithë paralajmërimet, ai nuk ka hyrë në Kosovë. Një përpjekje e bëri më 15 shtator të vitit të kaluar, kur tha se për ta vizituar Kosovën e pyet popullin serb e jo kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Do të vij në Graçanicë dhe për këtë nuk e pyes Kurtin”, kishte deklaruar Vuçiq.
E Kurti i ishte përgjigjur se kërkesën do ta trajtojnë me seriozitet. Pas rritjes së tensioneve nuk pati vizitë të Vuçiqit e as të vartësve të tij.
Para pesë muajve Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) për shkak të deklaratave nxitëse nuk ia lejoi hyrjen në Kosovë as Petar Petkoviqit, shef i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Në tri vizitat paraprake, Petkoviqi haptazi kishte përdorur gjuhë të urrejtjes, të cilat kulmuan me rastin e inaugurimit të objektit të Universitetit paralel në Mitrovicën e Veriut.
“Ky është gur themeltar i unitetit të popullit tonë në Kosovë dhe për këtë sot ne jemi të bashkuar, siç ishim dhe do të jemi: edhe Lista Serbe, ashtu edhe Universiteti ynë dhe shteti i Serbisë. Populli ynë ka të ardhme vetëm përmes këtij uniteti, siç e ka thënë edhe presidenti Aleksandar Vuçiq”, pati deklaruar Petkoviq.
Ai nuk ishte lejuar të hynte në Kosovë as më 3 shtator 2021. Por Serbia u hakmor dy ditë më pas, kur nuk lejoi vizitën e katër ministrave kosovarë në Luginën e Preshevës – ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministrit të Ekonomisë, Hekuran Murati, ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, dhe ministrit të Kulturës, Hajrullah Çeku. Vendimi për ndalim atyre u ishte kumtuar nga autoritetet serbe vetëm disa orë para nisjes. Njërit prej paraardhësve të Petkoviqit, Marko Gjuriq, që tani është ambasador i Serbisë në ShBA, i pati kushtuar me arrestim mosrespektimi i ndalesës për të hyrë në Kosovë.
E të enjten Bashkimi Evropian u bëri thirrje palëve që t’i respektojnë marrëveshjet për vizitat e ndërsjella, tek iu referua vizitës së mohuar të ministrit të Brendshëm, Sveçla.
Sipas zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, vizita e Sveçlës në Serbi ishte kërkuar në përputhje me marrëveshjen e dialogut për vizitat zyrtare, andaj, sipas tij, “Serbia duhet të lejojë që kjo vizitë të ndodhë”.
Sveçla kishte planifikuar takime në selitë e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Refuzimi që iu bë Sveçlës ka nxitur reagimin e përfaqësuesve politikë të Luginës, që fajësuan Serbinë për urrejtje ndaj shqiptarëve. Zyrtarët serbë prej muajsh janë duke e akuzuar Sveçlën për presion mbi serbët e veriut nëpërmjet Policisë së Kosovës.
Njohës të raporteve mes dy vendeve thonë se politikat populiste nga të dyja qeveritë kanë bërë që të shkelet edhe marrëveshja për vizitat e ndërsjella.
“Natyrisht se Vuçiqi përmes vizitës në Kosovë tenton ta rikthejë besimin e serbëve, sepse ka pasur një humbje të besimit pas sulmit në Banjskë dhe në të njëjtën kohë ka akuza për keqpërdorimin e votave të qytetarëve serbë në zgjedhjet në Serbi. Këto kanë ndikuar që ai ta ketë një lloj shkëputjeje nga serbët që jetojnë në Kosovë dhe tenton që në njëfarë forme të promovojë politikat e tij në raport me qytetarët serbë në Kosovë dhe vazhdimin e propagandës së mëhershme rreth asaj se të gjithë serbët duhet të jenë unik dhe kësisoj të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë”, ka thënë analisti Arbnor Sadiku.
Ai shton se as Kosova nuk duhet t’i miratojë vizitën pas refuzimit të fundit që iu bë Sveçlës.
“Konsideroj që as Kosova nuk do të duhej të lejonte që Vuçiqi të vijë në Kosovë, meqë Serbia ka qenë shumë destruktive dhe nuk i respekton marrëveshjet për lejimin e vizitave të ministrave të Kosovës. Edhe ne duhet të veprojmë në të njëjtën mënyrë për shkak se duket që Serbia nuk merr vesh në forma të tjera të kompromisit apo dialogut mes të dyja vendeve”, ka potencuar Sadiku.
Marrëveshja për vizitat zyrtare ishte arritur në kuadër të dialogut teknik të Brukselit në vitin 2014.
Por Sadiku ka vlerësuar se ndoshta duhet të ketë edhe një riaranzhim të marrëveshjes aktuale për vizitat e ndërsjella.
“Praktikisht ndoshta është një momentum i mirë që gjatë takimeve në Bruksel të ketë një dakordim të ri me specifika të reja dhe një herë e mirë të dihet qartë që këto vizita të mos keqpërdoren nga të dyja qeveritë për populizëm. Edhe Qeveria e Kosovës deshi ta keqpërdorë për të shkuar në Luginë që të bëjë fushatë pas njohjes së targave nga Serbia. As Vuçiqi nuk ka pasur komunikim normal, por i ka keqpërdorur për ta mbajtur pushtetin atje. Vuçiqi ka një pushtet tërësisht totalitar dhe ende keqpërdor një mit të rrejshëm për Kosovën i mbjellë nga ish- regjimi i Milosheviqit”, ka deklaruar Sadiku.
Vizitat ishte thënë se duhet të zhvillohen në atë mënyrë që nxit procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Por marrëveshja është shkelur çdoherë kur ka pasur tensionim të situatës mes dy vendeve.