Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka folur mbi kërkesat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, karshi Kosovës.
Osmani tha se Vuçiqi në konferenca për media flet për rikthim të serbëve në institucionet e Kosovës, por sipas saj, është i njëjti që i ka detyruar serbët që ata të tërhiqen nga ato institucione.
“Gjithë këtë e bën për ta tërhequr vëmendjen nga qëllimet e tij të vërteta. Në asnjë moment nuk e besoj që Vuçiqi është i interesuar që serbët të kthehen në institucione”.
“Megjithatë, nuk do të thotë që ne si institucione të Kosovës të mos punojmë afër me të gjithë qytetarët tanë të nacionalitetit serb, në mënyrë që në përputhje me procedurat e ligjshme, ata të jenë prezentë në të gjitha institucionet e Kosovës, gjë që iu takon me Kushtetutë”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ajo tha se Kosova multietnike është Kosovë që si shtet ka dhënë përkushtim, dhe sipas saj, çdo e drejtë që i njihet serbëve dhe pakicave të tjera duhet të zbatohet si e tillë.
“Kosova multietnike është Kosovë ne që si shtet kemi dhënë përkushtimin tonë dhe çdo e drejtë që i njihet serbëve dhe pakicave tjera, duhet të zbatohet si e tillë, jo sepse thotë Vuçiqi, por këto janë të drejta kushtetuese që iu takojnë pakicave dhe për shkak se është në interes të Kosovës që të dëshmohet si shtet i suksesshëm demokratik”.
“Në asnjë moment nuk besoj që Vuçiqi e ka atë qëllim. Vuçiqi ka komplet qëllime të tjera. Ai tani dëshiron të duket para Perëndimit kinse po kontribuon për diçka pozitive, por në prapaskenë, Vuçiqi punon vetëm e vetëm për destabilizim të rajonit tonë. Nuk duhet asnjë fjalë e tij të merret seriozisht”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.
Javën e kaluar, Vuçiqi doli me shtatë kërkesa për Kosovën, ku ndër to ishin kthimi i serbëve në polici, gjyqësi e institucione të tjera, krijimin e Asociacionit e tërheqjen e Njësisë Speciale nga Veriu.