Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është angazhuar në fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit atje.
Vuçiq sot mori pjesë në një tubim në Smederevë, ku foli për Kosovën në rolin e pritur prej tij.
“Më lejoni t’ju them, ata kanë shpikur të gjitha llojet e gjërave dhe do të shpikin të gjitha llojet e gjërave, por – Kosova është pjesë e Serbisë, ka qenë dhe do të jetë. Ndryshe nga koha e tyre, kur bënin gjithçka për t’ua dorëzuar atë atyre”, ka thënë Vuçiq, raportojnë mediat serbe.
Duke luajtur kështu si gjithnjë me kartën e nacionalizmit, Vuçiq tha se nëse lista zgjedhore e tij do të humbasë, ai nuk do të jetë më president i Serbisë.
“Vërtet mendoni se unë do të jem president, e kryeministri do të jetë nga ata që shkatërruan vendin, nëse të tjerët fitojnë zgjedhjet – do t’ua jap mandatin, nuk do të jem më president, sepse nuk do të jem në gjendje të bëj më shumë për Serbinë”, ka thënë ai.