1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Buy now

spot_img

Vuçiq sulmon Perëndimin për zgjedhjet në veriun e Kosovës

Presidenti serb kritikoi ashpër të hënën zyrtarët perëndimorë që ndërmjetësojnë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke i quajtur ata gënjeshtarë dhe mashtrues dhe tha se pakica serbe në Kosovë nuk do të tolerojë më “pushtimin” e huaj.

Aleksandar Vuçiç foli një ditë pas zgjedhjeve lokale në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, të cilat u bojkotuan nga votuesit serbë. Si rezultat, në postet e kryetareve të katër komunave në zonë, u zgjodhën kandidatët shqiptarë.

Presidenti Vuçiç vlerësoi bojkotin e votimeve nga serbët e Kosovës, duke thënë se ai përfaqësonte “një kryengritje politike paqësore” kundër “pushtuesve” të tyre. Serbët pretendojnë për keqtrajtime nga autoritetet e Prishtinës dhe kërkojnë autonomi për rajonet ku përbëjnë shumicën.

“Njerëzit tanë në Kosovë kanë treguar se në cilin vend duan të jetojnë”, tha Vuçiç, udhëheqësi populist i cili njihet për shpërthimet e tij të shpeshta antiperëndimore. Ai me sa duket është i zemëruar me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për lejimin e Prishtinës që të mbajë zgjedhje në veri kur kur pritej bojkotimi nga serbët i kërkuar nga Beogradi.

Bashkimi Evropian tha të hënën se zgjedhjet janë mbajtur në përputhje me kuadrin ligjor të Kosovës dhe se janë bërë përpjekje që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të rregullt.

“Në të njëjtën kohë, BE-ja shpreh keqardhjen që jo të gjitha partitë dhe komunitetet e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë dhe votuar në zgjedhje”, thuhet në deklaratën e BE-së. “Pjesëmarrja shumë e ulët, veçanërisht në mesin e qytetarëve serbë të Kosovës, tregon se ky proces nuk është dhe nuk mund të konsiderohet si i zakonshëm”.

Kosova është një ish provincë me shumicë shqiptare etnike që ishte nën administrimin serb. Lufta e viteve 1998-1999 shpërtheu kur shqiptarët etnikë separatistë ngritën krye kundër sundimit të Serbisë dhe Beogradi u përgjigj me një shtypje. Rreth 13,000 njerëz u vranë, kryesisht shqiptarë etnikë. Në vitin 1999, një ndërhyrje ushtarake e NATO-s e detyroi Serbinë të tërhiqej nga territori. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Tensionet kanë vluar që atëherë. Pavarësia e Kosovës njihet nga shumë vende perëndimore, por kundërshtohet nga Beogradi me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës. Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja kanë bërë pak përparim në vitet e fundit, megjithëse udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë muajin e kaluar u pajtuan të zbatojnë një plan evropian për të normalizuar marrëdhëniet pas dekadash me tensione.

Presidenti serb Vuçiç tha se ai “ndoshta” do të marrë pjesë në raundin tjetër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, të planifikuar për t’u mbajtur në Bruksel më 2 maj, pavarësisht se “nuk priste asgjë” nga ai takim.

“Kam frikë se kjo është hyrje në një krize shumë më të thellë”, tha ai.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img