3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Vuçiq skeptik se mund të arrihet marrëveshje me Kosovën

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq i drejtohet kombit në një konferencë shtypi në Beograd, Serbi, të dielën, 21 gusht 2022. Ai ka thënë se nuk është optimist për arritjen e marrëveshjes me Kosovën për ri-regjistrimin e targave të veturave.

Ai po ashtu theksoi se se nuk sheh hapësirë për përparim.

“Jam skeptik dhe thjesht nuk shoh hapësirë për përparim, por na takon neve të bëjmë më të mirën”, tha Vuçiq më 26 gusht në Oseçinë, ku hapi Panairin e Kumbullës.

I pyetur nga një gazetar nëse pret tensione më 1 shtator, data për të cilën autoritetet e Kosovës njoftuan për zbatimin e vendimeve për ri-regjistrimin e automjeteve dhe për dokumentet personale, Vuçiq u përgjigj:

“Nuk mendoj se mund të ndodhë asgjë më 1 shtator, por kjo është çështje kohe, sepse riregjistrimi që ata synojnë të kryejnë zgjat dy muaj. Ndërkaq, për sa i përket dhënies së dokumenteve, mund të ketë tension edhe më 1 shtator, nëse nuk pranojnë që serbët me dokumente personale serbe të mund të shkojnë në shtëpitë e tyre në Kosovë dhe nga atje të hyjnë në Serbinë qendrore”, tha Vuçiq.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se më 1 shtator do të zbatojë vendimin për ri-regjistrimin e automjeteve me targa të Serbisë në RKS, si dhe vendimin për lëshimin e dokumenteve për hyrje/dalje për shtetasit serbë.

Vuçiq tha se Beogradi zyrtar kërkon që “qytetarët e Serbisë të mund të lëvizin me dokumentet e tyre në veri të Kosovës”.

“Kjo është në harmoni me Marrëveshjen e Brukselit”, theksoi ai.

Vuçiq, gjithashtu, tha se “vështirë se do të ketë marrëveshje” për riregjistrimin e targave KM (Mitrovica e Kosovës) pasi “serbët nuk do ta pranojnë”.

Më 25 gusht, Vuçiq u takua në Beograd me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Të dy zyrtarët e kanë vizituar Prishtinën dhe më pas Beogradin, ku kanë diskutuar me zyrtarët e të dyja vendeve për parandalimin e përshkallëzimit të mundshëm të situatës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Në një konferencë për media në Beograd, më 26 gusht, Escobar tha se SHBA-ja po kërkon nga të dyja palët që të zotohen se nuk do të ketë dhunë.

Ai vlerësoi, gjithashtu, se bisedimet ishin të vështira, por “pashë vullnetin për të gjetur një zgjidhje, vullnetin për të ndërtuar besimin në proces”.

Qeveria e Kosovës e ka shtyrë zbatimin e vendimeve për në fillim të shtatorit, pasi serbët lokalë në veri, më 31 korrik, u revoltuan dhe vendosën barrikada në rrugë.

Më pas, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 gusht u takuan në Bruksel, për të gjetur një zgjidhje në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk u arrit rezultat konkret. /Rel

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img