Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka dalë në një konferencë për media pasi i mblodhi vartësit e strukturave ilegale të tij në Kosovë në një takim në Beograd.
Vuçiq tha se nuk do të ketë kolona refugjatësh për popullin e Kosovës.
“Nuk kemi ku të shkojmë, jemi në qoshe. Sido që të jetë, mesazhi ynë për popullin e Kosovës është se nuk do të ketë kolona refugjatësh, do ta shpëtojmë popullin tonë nga pogromet dhe persekutimet”, ka thënë Vuçiq.
Ai tha se propozimi i Serbisë ishte njëfarë neutraliteti ndaj statusit të Kosovës, duke akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se “hodhi poshtë gjithçka”.
Vuçiq tha se për vendimin që atij i duket si shkatërrim i jetës së serbëve, Qeveria e Kosovës “e kishte marrë dritën e gjelbër nga Quinti”.
Ai theksoi se shpreson që në dhjetë ditët e ardhshme të arrihet një zgjidhje e pranueshme.
“Shqiptarët thonë se duam t’ju japim një dokument si ky i yni i lëshuar nga Serbia qendrore. Ne themi pa problem. Kur Aleksandar Vuçiq të hyjë në Republikën e Kosovës, jepini ato letra, por nuk mund t’u lëshoni letra të tilla njerëzve që jetojnë në veri të Republikës së Kosovës. Por ata nuk u interesuan që ta zbatojnë atë për mua dhe për ju, u interesuan vetëm për ta shkatërruar jetën e qytetarëve që jetojnë në veri. Dhe ata refuzuan, sepse pika e vetme është torturimi i popullit tonë në Kosovë dhe dëbimi i tyre”, tha Vuçiq.
Në këtë takim është i pranishëm edhe Milan Radoiçiq, i futur në listën e zezë të SHBA-së – i cili në fillim të qershorit u shfaq në veri të Kosovës. Në Kosovë për të është ende në fuqi një urdhërarrest.
Përveç Radoiçiqit, aty po marrin pjesë edhe kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, ministri i Financave, Sinisha Malog dhe drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq. Ky i fundit, pas takimit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me Vuçiqin në Bruksel, tha se s’ka pasur kompromis. Ai ka paralajmëruar se në këtë takim do të diskutohet më shumë për bisedimet e së enjtes.
Takimi Kurti – Vuçiq nuk prodhoi ndonjë marrëveshje, gjë të cilën e konfirmoi shefi i diplomacisë i Bashkimit Europian, Josep Borrell.
Paraprakisht, Vuçiq dje është takuar me shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe.