Site icon PrishtinaPress

Vuçiq: Serbia para ultimatumit

Serbia do të përballet këtë vit me një ultimatum: Të njohë pavarësinë e Kosovës apo të heqë dorë nga perspektiva e shpejtë evropiane, deklaroi presidenti serb Vuçiq, për mediat serbe.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq pohon se këtë vit Serbia do të përballet me një ultimatum për çështjen e Kosovës. „E sigurt është se këtë vit para vetes do të kemi një ultimatum. Do të na japin garanci për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nëse e njohim Kosovën”, deklaroi Vuçiq, në një intervistë  për Televizionin Prva. Vuçiq pohon, se tani më e di se kush do të jetë  ndërmjetësues i BE në dialogun me Kosovën, por ende nuk mund ta thotë emrin e tij.

“Do të na propozojnë një zgjidhje – Plani i Ahtisarit plus. Do të na ofrojnë  edhe një  status të  posaçëm për serbët e Kosovës në disa fusha. E pastaj, çfarë do të bëjmë ne?”, pyeti Vuçiq dhe vet u përgjigj: “Do ta pyesim popullin në referendum se çfarë mendon”.

Zgjidhja deri në vjeshtë

Presidenti i Serbisë  pohon se ai i ka hedhur poshtë  planet për “futjen e Kosovës në OKB”. Ndërsa i pyetur, nëse zgjidhja kërkohet deri në  vjeshtë, ai nuk u përgjigj qartë: “Unë nuk e kam gënjyer kurrë popullin. Unë nuk jam gënjeshtar”. Ai nuk deshi të  përgjigjet në pyetjen, se çfarë  do të bëjë nëse gjendet para ultimatumit – Kosova apo Bashkimi Evropian. “Këtë do ta shihni”, tha ai.

Vuçiq: Nuk përzihem në punët e huaja

Presidenti i Serbisë hodhi poshtë pohimet se Serbia dhe ai janë të përzier në tensionimet e fundit të gjendjes në Mal të  Zi, me fjalët se ai nuk është përzier kurrë në punët e brendshme të këtij vendi. Ai bëri të ditur se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi do të  shpallen me 3 ose 4 mars, kur të kthehet nga vizita në SHBA. Ndërsa për disa politikanë djathtist në Serbi ai tha se “e urren politikën fashiste, të disa politikanëve serbë”. “E neveritshme është politika fashiste në Serbi. I kanë tejkaluar të gjitha masat. Mbeturina fashiste, mjaft më!”, ishte përgjigja e tij ndaj politikës së opzitarit Boshko Obradoviq, që drejton lëvizjen Dveri. Vuçiq mendon se të gjitha partitë e tjera do të bashkohen kundër tij, në  qoftë se e fitojnë vetëm një mandat më  shumë se Partia Përparimtare e Serbisë (SNS), në zgjedhjet e ardhshme. Ai është kryetari i partisë, SNS. /DW/

Exit mobile version